SHBA kërkon riorganizim të NATO-s, përfshirë zvogëlimin e trupave në Kosovë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump, po i bëjnë presion NATO-s që të reduktojë ndjeshëm aktivitetet jashtë territorit tradicional, përfshirë përfundimin e një misioni kyç të aleancës në Irak, kanë thënë katër diplomatë të NATO-s.

Siç shkruan POLITICO, në muajt e fundit, SHBA-ja gjithashtu ka lobuar edhe për zvogëlimin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), si dhe që Ukraina dhe partnerët e Indo-Paqësorit të mos marrin pjesë zyrtarisht në samitin vjetor të aleancës që do të mbahet në korrik në Ankara, transmeton Dukagjini.

Kjo nismë reflekton një strategji të Shtëpisë së Bardhë për të trajtuar NATO-n si një traktat mbrojtjeje kryesisht euroatlantik dhe për të tërhequr dekada zgjerimi në fushat e menaxhimit të krizave, partneritete globale dhe iniciativa të bazuara mbi vlera, të cilat kanë irrituar prej kohësh presidentin amerikan dhe bazën e tij MAGA.

Sipas këtij drejtimi nga Uashingtoni, NATO do të kufizonte aktivitetet e quajtura “jashtë zonës”, që shtrihen përtej detyrave themelore të mbrojtjes dhe parandalimit.

Sipas katër diplomatëve, kjo nismë është quajtur brenda NATO-s “kthim në parametrat fillestarë”, dhe të katërtit folën në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së ndjeshme të çështjes, shkruan Politico, transmeton Dukagjini.

Kjo mund të çojë në një reduktim të shpejtë të aktiviteteve të NATO-s në ish-zona lufte, si dhe në përjashtimin e kryeqyteteve si Kievi dhe Canberra nga diskutimet zyrtare këtë verë.

NATO-ja aktualisht mban mision këshillimor në Irak, që synon forcimin e institucioneve të sigurisë dhe parandalimin e rikthimit të Shtetit Islamik. Ky mision u krijua gjatë mandatit të parë të Trumpit në vitin 2018 dhe është zgjeruar disa herë që nga viti 2021, me kërkesë të Bagdadit.

Sipas diplomatëve, Uashingtoni ka kërkuar që misioni të përfundojë që në shtator. Paralelisht, SHBA-ja pritet të tërheqë rreth 2,500 ushtarë nga Iraku në kuadër të një marrëveshjeje të vitit 2024 me qeverinë irakiane, si pjesë e angazhimit të Trumpit për t’i dhënë fund “luftërave të pafundme”.

Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të komentojë publikisht për programet e partneritetit dhe operacionet globale të NATO-s kur u kontaktua nga POLITICO.

Diskutimet e hershme për zvogëlimin e pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë

SHBA-ja gjithashtu ka sinjalizuar dëshirën për të ulur praninë e Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), sipas katër diplomatëve kjo ka ngjallur një shqetësim të madh tek aleatët evropianë, edhe pse diskutimet janë ende në faza shumë të hershme.

Misioni ndërkombëtar i autorizuar nga Kombet e Bashkuara, i filluar në vitin 1999 pas luftërave në ish-Jugosllavi, përfshin aktualisht rreth 4,500 trupa.

Engjëllushe Morina, bashkëpunëtore e lartë e politikave në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, ka thënë se misioni mbetet “i domosdoshëm” për sigurinë rajonale.

“Nëse NATO-ja tërhiqet, kjo mund t’i inkurajojë separatistët serbë në veri të Kosovës dhe të ketë efekt zinxhir në rajon, përfshirë Republikën Sërpska në Bosnje e Hercegovinë”, ka thënë Morina.

“Jemi shumë të shqetësuar për përpjekjet për të ulur misionin”, tha një diplomat tjetër i lartë i NATO-s, pasi siç thotë ai “gjërat në Ballkanin Perëndimor mund të përshkallëzohen shpejt”.

Megjithatë, zyrtarë të NATO-s theksojnë se nuk ka asnjë afat kohor për përfundimin e misionit në Irak apo për KFOR-in dhe se çdo vendim kërkon miratimin e të 32 vendeve anëtare.

Shija e redaktorit

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

Të fundit nga rubrika