Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se objektivi i tij mbetet sigurimi i 80 votave për zgjedhjen e presidentit. Ai bëri të ditur se ende nuk ka emra konkretë për kandidat, por e cilësoi si zhvillim pozitiv faktin që PDK ka vendosur të dalë me propozimin e saj, raporton Dukagjini.
Kurti tha se gjatë takimit nuk është diskutuar për ndonjë emër të veçantë, ndonëse është biseduar për situatën politike në vend, në rajon dhe më gjerë.
“Nuk u tha ndonjë emër konkret dhe nuk kishte mundësi për shumë diskutim të thelluar në këtë aspekt, ndonëse biseduam për zhvillimet dhe situatën politike jo vetëm në Kosovë, në rajon, por edhe në botë. Veçse për temën praktike, politike, institucionale për të cilën jemi takuar, nuk u tha ndonjë emër i përveçëm, e që dihet se është thelbësor për rrugën përpara. Tash, lajmi i mirë është që PDK-ja ka vendosur të propozojë një kandidat dhe kjo natyrisht që jep shpresë për garë interesante në javën e ardhshme”, ka deklaruar ai.
Sipas Kurtit, deri tani nuk është arritur të gjendet një kandidat konsensual që do të tejkalonte propozimet partiake.
“Ne nuk kemi arritur që të kemi një kandidat i cili do të ishte konsensual, së paku jo deri më tani, e i cili do të shkonte përtej propozimeve partiake”, u shpreh ai.
Ai theksoi se, meqenëse PDK-ja ka insistuar në propozim partiak, edhe Lëvizja Vetëvendosje do të veprojë në të njëjtën mënyrë.
“Meqenëse kryesia e PDK-së insiston në propozime të partive, atëherë siç është Bedri Hamza kryetar i PDK-së edhe unë jam kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, natyrisht subjekte politike të ndara dhe konkurruese. Por është njoftim i mirë që PDK-ja e ka diskutuar dhe e ka konstatuar që ajo si parti ka nevojë të ketë propozimin e saj”, tha Kurti përcjell Dukagjini
Ai rikujtoi se mazhoranca aktualisht ka 66 deputetë, prej të cilëve 57 janë të LVV-së dhe partnerëve të koalicionit Guxo dhe Alternativa, ndërsa PDK-ja ka 22 deputetë. Sipas tij, për të arritur në 30 nënshkrime për propozimin e kandidatit të PDK-së nevojiten edhe tetë nënshkrime shtesë.
Kurti shtoi se, në rastin më të keq, mund të ketë ndihmë nga mazhoranca ose nga subjekte të tjera për të siguruar garën, duke kujtuar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese kërkon që në fletëvotim të ketë më shumë se një kandidat.
“Shpresoj që të kemi një garë ku emrat të dihen sa më shpejt, por tash për tash ky nuk është rasti”, tha ai.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se çështja e presidentit do të diskutohet edhe në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, që do të mbahet të dielën.
Ai sqaroi se mbledhja nuk është thirrur enkas për këtë temë, por është pjesë e obligimeve statutare të partisë, si dhe për shkak se viti 2026 është vit zgjedhor brenda LVV-së.
Kurti theksoi se, në mungesë të marrëveshjes politike dhe të një propozimi konsensual, vendi duket se po shkon drejt propozimeve partiake, ndërsa emrat konkretë ende nuk janë bërë publikë.
Hamza pas takimit me Kurtin: Kërkuam që të zgjidhet presidenti i propozuar nga PDK-ja