Pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës kanë realizuar një ultra-vrapim simbolik prej rreth 80 kilometrash nga Kosharja në Prekaz, në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ky aktivitet përkujtimor u organizua për të nderuar sakrificën e dëshmorëve të luftës së UÇK-së dhe për të kujtuar dy nga vendet më simbolike të historisë së luftës për liri të Kosovës.
Vrapimi nisi nga Kosharja, një nga frontet më të rëndësishme të luftës së UÇK-së gjatë vitit 1999, dhe përfundoi në Prekaz, në Kompleksin Memorial të familjes Jashari, ku nderohet figura e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij.