Kushtetuesja pezullon dekretin e Osmanit – Qeveria pret vendim përfundimtar

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, duke ndaluar çdo veprim në lidhje me të deri më 31 mars.

Vendimi nënkupton se presidentja nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa masa të jetë në fuqi, ndërsa Kuvendi nuk mund të vazhdojë seancën për zgjedhjen e presidentit, e cila kishte nisur më 5 mars.

Masa e përkohshme u vendos pasi Lëvizja Vetëvendosje e dërgoi në Kushtetuese dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

Qeveria e Kosovës ka thënë se vendimi i Gjykatës krijon hapësirë që çështja të trajtohet në mënyrë të plotë dhe në përputhje me rendin kushtetues.

“Për tre javë jemi në gjendje pritjeje ndërkohë që një sërë marrëveshjesh dhe vendimesh me rëndësi për qytetarët vazhdojnë të mbeten pa miratimin e Kuvendit. Qeveria pret që vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të japë qartësi të plotë mbi këtë çështje dhe të përcaktojë standardin kushtetues që në të ardhmen institucionet dhe qytetarët mos të përballen me këto pengesa serioze”, thuhet mes tjerash në reagimin e Qeverisë.

Edhe Vetëvendosje ka përshëndetur vendimin e Gjykatës, duke thënë se pezullimi ndalon një veprim që, sipas saj, ka cenuar rendin kushtetues.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka vlerësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si një hap shumë të rëndësishëm.

Ndërkohë, presidentja Osmani ka përsëritur se është e bindur që dekreti i saj është në përputhje me Kushtetutën, duke theksuar se vendimi përfundimtar i takon Gjykatës Kushtetuese.

“Ne jemi të bindur se dekreti është në përputhje të plotë me Kushtetutën. Unë nuk jam pejgambere të mos bëj asnjëherë gabime, prandaj ekziston Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar Osmani në një intervistë për TV Syri.

Ndërsa, pas vendimit të Kushtetueses ka reaguar edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, i cili e ka pyetur Vetëvendosjen nëse tani e konsideron Gjykatën Kushtetuese “të kapur nga opozita”, duke përmendur edhe gjyqtarin Radomir Llaban.

Kujtojmë se më 5 mars 2026, Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, pas kërkesës së 42 deputetëve të Lëvizja Vetëvendosje.

Megjithatë, në mungesë të kuorumit, nuk u nis as procedura e votimit për kandidatët Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, pasi partitë opozitare e braktisën seancën.

Shija e redaktorit

Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias

Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin...

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Shtëpia botuese “Dukagjini” sjell në gjuhën shqipe 16 libra të...

Secila një histori ndryshe nga tjetra. Të gjashtëmbëdhjetë libra nga krijimtaria e nobelistit gjermano-zviceran, Hermann Hesse, në gjuhën shqipe i gjeni në Librarinë “Dukagjini”. Promovimi i...

Të fundit nga rubrika