Rama: Makthi i Vuçiqit është Kosova – nëse preket ajo, preket edhe Shqipëria

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dërguar një mesazh të qartë presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, duke theksuar se nëse preket Kosova, atëherë edhe Shqipëria është e prekur.

Në një intervistë për “Turkiye Today”, Rama ka vlerësuar se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm.

“Kosova është shtet i pavarur, është Republikë. Ky proces nuk mund të kthehet mbrapsht”, ka theksuar Rama.

Ai ka shtuar se çdo kërcënim ekzistencial ndaj Kosovës përbën një kërcënim ekzistencial edhe për Shqipërinë.

“Nëse Kosova preket, Shqipëria preket. Nëse Kosova është nën një kërcënim ekzistencial, edhe Shqipëria është nën një kërcënim ekzistencial”, ka thënë ai.

Duke folur për dialogun e bllokuar të lehtësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit, Rama pranoi se perspektiva e tij nga Tirana ndryshon natyrshëm nga ajo e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Unë jam në Tiranë, jo në Prishtinë. Kam përjetuar luftën e përgjakshme që shkatërroi ish-Jugosllavinë dhe solli në Kosovë furinë e makinerisë naziste të vdekjes dhe shkatërrimit,” ka thënë Rama.

Kryeministri Rama nuk kurseu kritikat për akuzat e fundit të Vuçiqit se Shqipëria, Kroacia dhe Kosova po formonin një “aleancë ushtarake” kundër Serbisë.

Rama i ka përshkruar këto akuza si pasqyrë të frikës së Serbisë për të pranuar realitetin.

“Presidenti Vuçiç është dikush me të vërtetë me njohuri të mëdha, intuitë të shkëlqyer, që mezi pret shumë gjëra, por ai ka makthin e tij: është Kosova. Kaq është. Pikë”, ka deklaruar Rama.

“Kur makthi i pushton emocionet, ai gjithashtu arrin të thotë gjëra që sinqerisht nuk kanë kuptim”, ka shtuar tutje ai.

Mes tjerash, Rama hodhi poshtë idenë e Vuçiqit se Turqia ka ambicie “neo-osmane” në rajon.

Ai përmendi një projekt të vonuar për restaurimin e një xhamie të vogël të dëmtuar nga përmbytjet në Shqipëri, i realizuar nga Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit (TIKA). Sipas Ramës, nëse Turqia do të kishte ambicie të tilla, xhamia do të ishte rikonstruktuar tre vjet më parë.

Të fundit nga rubrika