Sot, më 15 mars, ka nisur zbatimi i plotë i Ligjit për të Huajt dhe i Ligjit për Automjetet në Kosovë, një proces që pritet të zhvillohet në koordinim me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe me përfaqësues të komunitetit serb.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën bëri të ditur se zbatimi i këtyre ligjeve nuk do të pengojë ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, por synon ndërprerjen e mekanizmave ilegalë që financohen nga Serbia.
Në këtë kontekst, me kërkesë të Bashkimit Evropian, Kosova ka pranuar disa masa lehtësuese.
Emisari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, qëndroi në Prishtinë një ditë para nisjes së zbatimit të ligjeve dhe kërkoi që procesi të jetë gradual. Si rezultat, është rënë dakord që studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës t’u lëshohen leje qëndrimi të përkohshme për 12 muaj, ndërsa dokumentet e identifikimit të lëshuara nga strukturat paralele të pranohen edhe për një periudhë tre mujore.
Gjatë takimit të së shtunës në mëngjes me kryeministrin Kurti dhe shefin e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, emisari Sorensen kërkoi që zbatimi i ligjeve të mos ndërpresë shërbimet shëndetësore dhe arsimore që aktualisht ofrohen për serbët lokalë në institucione që financohen nga Serbia.
“E konsiderojmë prioritet kyç që Qeveria e Kosovës t’u sigurojë leje qëndrimi punëtorëve dhe studentëve të përfshirë për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, në mënyrë që të parandalohet çdo ndërprerje e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore. Për të siguruar mosndërprerjen e shërbimeve, i kërkuam Kosovës të lejojë përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara jo më vonë se 15 mars 2026 nga Serbia për ata që jetojnë në Kosovë, si mjet identifikimi për proceset administrative”, u shpreh Sorensen në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Kurti dhe ambasadorin Orav.
Ligji për të Huajt parasheh që personat që nuk posedojnë dokumente të Kosovës duhet të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa Ligji për Automjetet përcakton se automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj pa autorizim të veçantë.
Megjithatë, për serbët e Kosovës që nuk kanë dokumente kosovare është vendosur një periudhë tranzitore. Ata do të kenë mundësi të pajisen me leje të përkohshme qëndrimi deri në 12 muaj dhe, përkohësisht, të përdorin si dokument identifikimi letërnjoftimet e lëshuara nga strukturat paralele.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, konfirmoi se është arritur marrëveshje për mënyrën e zbatimit të ligjit.
“Diskutuam për zbatimin, i cili do të fillojë nesër. Kemi pasur bisedime intensive me Qeverinë e Kosovës gjatë javëve të fundit. Dhe sot ka marrëveshje për zbatimin e ligjit për të huajt me hapa thelbësorë shtesë, para së gjithash sa i përket procesit të regjistrimit të serbëve të Kosovës dhe lejes së përkohshme të qëndrimit”, ka thënë ai.
Kryeministri Kurti i përshkroi këto masa si “lehtësira” që synojnë të shmangin ndërprerjen e shërbimeve për qytetarët. Ai bëri të ditur se komunat me shumicë serbe do t’i dorëzojnë Qeverisë listat e stafit shëndetësor dhe akademik që punojnë në Kosovë, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme do t’i pajisë ata me leje të përkohshme qëndrimi.
“Dua të potencoj që nuk është interes i Republikës së Kosovës që zbatimi i ligjit për të huajt dhe i atij për veturat të prodhojë pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët. Por po ashtu dua të theksoj fuqishëm që njësoj është qëndrimi i Republikës së Kosovës, që në Kosovë nuk duhet dhe nuk mund të ketë mekanizma ilegalë të cilët mirëmbahen e financohen nga një shtet jomiqësor e që nuk e njeh Republikën e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ai shtoi se komunat do të dorëzojnë edhe listat e studentëve që studiojnë në institucione arsimore, në mënyrë që edhe ata të pajisen me leje të përkohshme qëndrimi.
“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista që do të shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në MPB. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunale do të ofrojnë listën e plotë”, ka thënë ai.
“Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu do të hapë një dritare të re 3-mujore për t’u mundësuar qytetarëve të nacionalitetit serb të regjistrojnë faktet civile, të cilat deri më datën 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë, aplikantëve do t’u lejohet edhe përdorimi, ekskluzivisht si mjet identifikimi, i ID kartës së lëshuar nga strukturat jolegale”.
Sipas Kurtit, studentët që aplikojnë do të mund të marrin leje qëndrimi të përkohshme për 12 muaj me mundësi vazhdimi. Ndërkohë, për punëtorët në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, ministritë përkatëse do të përcaktojnë procedurat dhe afatet për integrimin ose licencimin e tyre.
Kryeministri theksoi gjithashtu se, përveç këtyre lehtësirave, do të vazhdojë përpjekja për integrimin e strukturave paralele serbe brenda sistemit ligjor të Kosovës.
Zbatimi i plotë i dy ligjeve pritet të nisë më 16 mars dhe prek edhe serbët e Kosovës që deri më tani kanë refuzuar t’i binden sistemit kushtetues të vendit.