Tre persona janë arrestuar të shtunën në fshatin Pollatë të Podujevës, nën dyshimin për vrasje në tentativë dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës.
Sipas Raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 14 mars 2026 rreth orës 16:30, kur të dyshuarit – meshkuj kosovarë – dyshohet se kanë goditur një automjet zyrtar të policisë.
Policia bën të ditur se njëri nga të dyshuarit ishte duke drejtuar traktor të ngarkuar me dru të prerë ilegalisht, ndërsa tjetri me automjet, dhe gjatë incidentit kanë goditur veturën e policisë.
Si pasojë e rastit, katër zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.
Të dyshuarit janë intervistuar nga organet e hetuesisë dhe me vendim të prokurorit dy prej tyre janë dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.