Ushtria izraelite thotë se ka ende “mijëra objektiva” për të goditur në Iran, disa orë pasi sulmet u zgjeruan edhe në zona të tjera në perëndim dhe qendër të vendit.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Effie Defrin, deklaroi se operacionet ushtarake do të vazhdojnë, duke theksuar se lista e objektivave në Iran mbetet shumë e gjatë.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se Teherani nuk i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës armëpushim. Në një intervistë për CBS News, ai shtoi se Irani nuk sheh arsye për bisedime me amerikanët. “Ne po bisedonim me ta kur ata vendosën të na sulmonin”, tha Araghchi.
Më herët, presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar se Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje, por sipas tij kushtet e propozuara nuk janë “mjaft të mira”.
Trump zhvilloi gjithashtu një bisedë telefonike me kryeministrin britanik Keir Starmer, gjatë së cilës u diskutua rëndësia e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit për t’i dhënë fund ndërprerjeve në transportin global detar.
Në një intervistë për Financial Times, Trump paralajmëroi se mund të jetë “shumë keq për të ardhmen e NATO” nëse aleatët nuk ndihmojnë SHBA-në për të rihapur këtë rrugë të rëndësishme detare.