Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Irani dëshiron të negociojë për t’i dhënë fund konfliktit, megjithëse sipas tij Teherani ende nuk është plotësisht gati për marrëveshje.
Duke folur me gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One gjatë kthimit nga Florida në Uashington, Trump tha se SHBA-ja është në kontakt me Iranin për bisedime diplomatike.
“Po flasim me ta, por nuk mendoj se janë gati ende, megjithatë janë shumë afër”, tha ai, raporton BBC.
Deklarata e Trump vjen pasi ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka thënë se Teherani nuk ka kërkuar kurrë armëpushim dhe as negociata me SHBA-në.
Trump shtoi se SHBA-ja i ka shkaktuar dëme të mëdha Iranit gjatë sulmeve dhe se, sipas tij, nëse lufta do të ndalej tani, Iranit do t’i duheshin rreth dhjetë vjet për t’u rimëkëmbur.
Ai tha gjithashtu se nuk ka arsye për të shpallur “fitore” në këtë fazë të konfliktit.
Presidenti amerikan pretendoi gjithashtu se disa pamje që qarkullojnë në rrjetet sociale, përfshirë ato që tregojnë mijëra njerëz duke mbështetur liderin iranian Mojtaba Khamenei, si dhe raportimet për sulme ndaj aeroplanmbajtëses amerikane USS Abraham Lincoln (CVN‑72), janë të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, pa paraqitur prova për këtë.
Trump theksoi se marrëdhëniet e tij me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu janë shumë të mira, duke i cilësuar ato si “të jashtëzakonshme”.
Ai shtoi gjithashtu se çmimet e naftës pritet të bien sapo konflikti të përfundojë dhe se, sipas tij, lufta mund të mbyllet shpejt.
Në të njëjtën kohë, Trump tha se administrata amerikane ka biseduar me rreth shtatë vende për krijimin e një koalicioni që do të siguronte kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Ai bëri të ditur se SHBA-ja ka kërkuar edhe nga Kina të marrë pjesë në këtë iniciativë, duke theksuar se Pekini varet shumë nga nafta që kalon nëpër këtë rrugë detare.
Trump nuk përmendi vendet e tjera me të cilat ka biseduar, por tha se edhe aleatët në NATO duhet të ndihmojnë për të mbrojtur rrugët nga të cilat sigurojnë energjinë.
Ai paralajmëroi se SHBA-ja “do ta mbajë mend” nëse partnerët nuk ofrojnë ndihmë.