Në mbledhje të jashtëzakonshme, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka trajtuar dorëheqjen e Prokurorit të Shtetit, Jeton Koca.
Dorëheqja e tij është aprovuar me pesë vota pro gjatë mbledhjes së KPK-së.
Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi ka treguar se njoftimin nga Koca për dorëheqje e kishte bërë më 13 shkurt të këtij viti. Ndërsa, arsyet i ka cekur të jenë personale.
“Ju njoftojmë se me 13 shkurt 2026 kemi pranuar nga Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë zoti Jeton Koca njoftimin për dorëheqjen nga pozita e prokurorit të shtetit. Koca ka njoftuar se arsyet e dorëheqjes janë personale dhe nuk do t’i bëjë publike në këtë dokument”, tregoi Gashi.
Zëvendëskryesuesi Dardan Vuniqi ka uruar Kocën për angazhimin e tij në të ardhmen
“Duke njohur përvojën e z.Koca unë shfrytëzojë rastin t a falënderoj për angazhimin dhe kontributin e dhënë në sistemin prokurorial. Natyrisht që përvoja e tij edhe jashtë institucioneve të Republikës së Kosovës i ka bërë mirë dhe nder dhe mirë sistemit prokrurial, megjithatë meqë lidhet me motive personale dhe i njëjti nuk i ka dhënë, unë shfrytëzoj rastin ta falënderoj për angazhimin, kontributin dhe bashkëpunimin që ka dhënë në sistemin prokurorial të Kosovës. Besoj dhe uroj që z. Koca kudo që do të vazhdojë rrugëtimin e tij profesional si një prej juristëve më të mirë që kemi ne do të kontribuojë dhe do të kujdeset ta ruaj rolin e integritetit të prokurorit të shtetit”, tha ai.
Këtij urimi i është bashkuar edhe kryesuesi Gashi.
“Urimit i bashkëngjitëm dhe unë për kontributin që ka dhënë. Natyrisht që është e drejtë e secilit të zhvillojë karrierën kudo që ai apo ajo dëshiron”, tha ai.
Por është anëtarja Elza Bajrami-Kastrati, e cila e konsideroi jokorrekte që pas një viti të jepet dorëheqje, pikërisht kur Këshilli ka investuar në këtë por edhe akademia e drejtësisë.