Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.
Sipas një njoftimi për media, Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për bashkëpunimin e mirë dhe korrekt, duke shprehur mirënjohje për angazhimin dhe shërbimin e tij në Kosovë që nga marrja e detyrës më 1 shtator 2024.
Në njoftim thuhet se gjatë mandatit të tij, pavarësisht sfidave të shumta, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë forcuar. Në këtë drejtim, kryeministri veçoi kontributin dhe përkushtimin e ambasadorit Orav në lansimin e Instrumentit për Reforma dhe Rritje.
Po ashtu, Kurti theksoi rëndësinë që Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapat e radhës në raport me Kosovën, në përputhje me progresin e arritur nga vendi për të fituar statusin e merituar të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Në përfundim të takimit, kryeministri i uroi ambasadorit Orav suksese në angazhimet e tij të ardhshme, duke e falënderuar për kontributin dhe bashkëpunimin gjatë mandatit të tij në Kosovë.