Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka hapur hetime ndaj të pandehurit me inicialet N.Z. dhe ka dorëzuar kërkesë në Gjykata Themelore Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë.
Sipas Prokurorisë, më 16 mars 2026, rreth orës 05:20, në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, në lokalin “M.P.” në Gjakovë, N.Z. ka privuar nga jeta R.B., pas një mosmarrëveshjeje, i pandehuri qëlloi disa herë me pistoletë TT me kalibër 7.62×25 mm drejt të ndjerit, i cili ndërron jetë në vendin e ngjarjes, njofton Dukagjini.
“Gjithashtu si pasojë e të shtënave me armë i pandehuri rrezikon jetën e personave të tjerë, ku i dëmtuari E.M., pëson lëndime trupore dhe dërgohet në emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë për trajtim mjekësor, ndërsa i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes. Me këto veprime i pandehuri N.Z., ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 par.1 nënpar.1.5 të KPRK-së. Po ashtu, i njëjti ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Që nga data 16 mars 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i pandehuri ndodhet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të sipërpërmendura.