Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, tha se përpjekjet e Izraelit për të justifikuar krimet e veta nën maskën e konfliktit rajonal nuk duhet të lejohen kurrë.
Ai theksoi se lufta me Iranin “nuk duhet të shpërqendrojë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar nga Palestina dhe tragjedia në Gaza”.
Fidan akuzoi Izraelin për shkelje të armëpushimit duke shfrytëzuar kaosin e krijuar dhe shtoi se situata në terren mbetet serioze. Ai gjithashtu dënoi sulmet e Izraelit në Liban.
“Çelësi i vetëm për të vendosur siguri të vërtetë dhe të qëndrueshme në rajon është vendosja e një paqeje të drejtë dhe dinjitoze me popullin palestinez”, ka theksuar ai.
Fidan, gjatë një konference për media në Katar, ka shprehur solidaritetin e vendit të tij me rajonin dhe ka dënuar sulmet që rrezikojnë jetët e civilëve dhe synojnë infrastrukturën civile.
“Ne i dënojmë këto sulme që nuk respektojnë jetët e civilëve dhe nuk mund të legjitimojnë asnjë veprim të tillë,” tha Fidan, duke theksuar se këto sulme kurrë nuk mund të justifikohen.
Ndërsa, kryeministri i Katarit thotë se sulmet iraniane duhet të ndalen menjëherë.
Ai ka theksuar “rëndësinë e një ndalimi të menjëhershëm” të sulmeve iraniane në rajon dhe nevojën për deeskalim, raporton BBC.
Ai falënderon Turqinë për mbështetjen e shtetit të Katarit dhe stabilitetin e sigurinë në rajon.