Imazhet satelitore të analizuara nga BBC Verify tregojnë për një derdhje të madhe nafte rreth 20 kilometra të gjatë mes territorit të Iranit dhe ishullit Qeshm.
Sipas analizës, derdhja dyshohet se vjen nga anija iraniane e dronëve “Shahid Bagheri”, e cila ishte goditur nga sulme amerikane më 2 dhe 6 mars.
Dy javë pas sulmit, pamjet e datës 18 mars tregojnë se nafta është përhapur drejt jugperëndimit, duke ndjekur rrymat e Gjirit dhe duke iu afruar zonave të mbrojtura si Rezervati i Biosferës Hara dhe ligatinat Khuran, të mbrojtura nga Konventa Ramsar.
Kjo paraqet rrezik serioz për mjedisin detar dhe bregdetar, raporton BBC.
Ndërkohë, pamje të verifikuara nga BBC tregojnë tym të zi që ngrihet nga një zjarr në rafinerinë Mina Al-Ahmadi në Kuvajt, pas një sulmi të raportuar me dron nga Irani.
Autoritetet kuvajtiane konfirmojnë se zjarri është vënë nën kontroll dhe nuk ka të lënduar.
Rafineria Mina Al-Ahmadi është objekti më i madh për përpunimin e naftës në Kuvajt dhe një nga më të rëndësishmit në rajon, me kapacitet rreth 730 mijë fuçi në ditë.