Ish-drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Robert Mueller, ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare, ka konfirmuar familja e tij për mediat amerikane.
Në një deklaratë, familja bëri të ditur se ai ndërroi jetë mbrëmjen e kaluar, ndërsa më herët ishte raportuar se vuante nga sëmundja e Parkinsonit, e diagnostikuar në vitin 2021, raporton Reuters përcjell Dukagjini.
Mueller ishte një nga figurat më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë amerikane, i njohur për drejtimin e FBI-së për 12 vite, përfshirë periudhën kritike pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Pas daljes në pension, ai u rikthye në qendër të vëmendjes si këshilltar special i Departamentit të Drejtësisë, duke udhëhequr hetimin mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe lidhjet e mundshme me fushatën e presidentit Donald Trump.
Hetimi i tij dyvjeçar dokumentoi përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në procesin zgjedhor amerikan, megjithëse nuk ngriti akuza për bashkëpunim kriminal mes fushatës së Trump dhe Moskës.
Lajmi për vdekjen e Mueller ka nxitur reagime të ndryshme në SHBA, përfshirë edhe komente kontroverse në rrjetet sociale nga figura politike.