Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar me sukses arrestimin e një shtetasi të huaj të kërkuar nga autoritetet ndërkombëtare për vrasje.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është zhvilluar gjatë ditës së sotme në Prishtinë, pas një pune të koordinuar operative në terren nga njësia ‘FAST Kosova’, në bashkëpunim me njësitë e rendit publik dhe Njësinë për Reagim të Shpejtë (NJRSH).
Arrestimi është bërë në bazë të një letër-rreshtimi ndërkombëtar, të njohur si “Red Notice”, të lëshuar nga autoritetet e INTERPOL-it të Danimarkës.
“Sot, më 23.03.2026, në Prishtinë, Policia e Kosovës, pas një pune operative në terren, përkatësisht njësia ‘FAST Kosova’, në bashkëpunim me njësitë policore të rendit publik dhe Njësinë për Reagim të Shpejtë (NJRSH), ka realizuar me sukses arrestimin e një shtetasi të huaj të kërkuar nga autoritetet ndërkombëtare për veprën penale ‘vrasje’.
Arrestimi është kryer në bazë të një letër-rreshtimi ndërkombëtar (Red Notice), të lëshuar nga autoritetet e INTERPOL-it të Danimarkës.
Rasti është duke u trajtuar në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa autoritetet kompetente janë duke ndërmarrë veprimet e mëtejme ligjore në përputhje me procedurat në fuqi.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për garantimin e sigurisë së përgjithshme”, thuhet në njoftim.