SHBA forcon mbrojtjen e Arabisë Saudite, miraton miliarda dollarë armë mes tensioneve me Iranin

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka rritur mbështetjen për sigurinë e Arabia Saudite përballë kërcënimeve nga Irani, duke miratuar furnizime shtesë me armë dhe municione, ka bërë të ditur për CNN një zyrtar rajonal i përfshirë në diskutime.

Sipas tij, SHBA-të kanë dhënë dritën jeshile edhe për transferime nga palë të treta, duke u mundësuar aleatëve që të dërgojnë në Arabinë Saudite armë të prodhuara në SHBA nga rezervat e tyre.

Zyrtari theksoi se shqetësimi kryesor i Riadit lidhet me mundësinë e sulmeve iraniane ndaj infrastrukturës civile në rajon, si formë hakmarrjeje ndaj çdo veprimi ushtarak amerikan kundër Iranit. Ai shtoi se ekziston një koordinim i ngushtë mes shteteve të Gjirit që më parë janë përballur me sulme të tilla.

Në këtë kuadër, në janar administrata amerikane miratoi shitjen e 730 raketave Patriot për Arabinë Saudite, në një marrëveshje me vlerë rreth 9 miliardë dollarë. Po ashtu, vendi u shpall aleat i madh jo-anëtar i NATO-s, duke lehtësuar procedurat për furnizime ushtarake.

Ndërkohë, gjatë fundjavës, administrata amerikane anashkaloi Kongresin për të përshpejtuar shitje të tjera armësh: rreth 8.4 miliardë dollarë për Emiratet e Bashkuara Arabe, 8 miliardë dollarë për Kuvajtin dhe 70.5 milionë dollarë për Jordaninë.

Të fundit nga rubrika