Granit Plava, një ndër tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, ka deklaruar se bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli, i kishte ofruar pagë 1 mijë e 300 euro në muaj për ta kryer vrasjen.
“Marrëveshja me Naimin ka qenë. Kam qenë në dijeni për veprën penale për të cilën akuzohem tash, por asnjëherë nuk ma ka treguar personin. Vetëm më ka thënë: ‘Ti duhet të marrësh përgjegjësinë dhe për dy vjet të nxjerr nga burgu. Ti e di çfarë pushteti kemi ne’”.
Sipas tij, Murseli i ka thënë se për këtë rast ka qenë në dijeni edhe Behgjet Pacolli.
“Në dijeni është edhe Behgjet Pacolli. Më ka ofruar para, më ka ofruar pagë 1 mijë e 300 euro në muaj, më ka ofruar veturë G-Class. I kam thënë përafërsisht cili është personi, ai më ka thënë që nuk ke nevojë me ditë, ti veç ke me marrë përgjegjësi, kinse e kam bërë unë vrasjen. Kështu e kam dhënë deklaratën në Polici, qysh jemi marrë vesh me Naimin”.
“Po të dy i njoh. Kushtrim Kokallën e njoh pak më shumë, sepse ka qëndruar më shpesh në katundin tonë, kurse Naim Murselin e kam njohur, por nuk kam pasur shumë kontakte. Vetëm kur vinte prej jashtë, vinte si ‘boss’ me kerre të mira dhe e kemi pasur privilegj me nejt me të”, ka deklaruar i akuzuari Plava.
Më tutje, Plava thotë se deklaratën në Polici e kishte dhënë ashtu sikurse ishte marrë vesh me Naim Murselin.
I akuzuari thotë se me Naim Murselin është takuar 7-8, dhe se ditën kritike janë takuar pikërisht për këtë marrëveshje.
Sipas tij, të nesërmen e kishte kuptuar që personi që e vrau ka qenë gruaja e Naim Murselit.
Paraprakisht, Plava tha se është i gjendjes së dobët ekonomike dhe se ka qenë punëtor krahu. Tha se më parë nuk ka qenë i dënuar apo i ndjekur për ndonjë vepër penale.