Misioni vëzhgues i lëvizjes Kreni-Promeni ka njoftuar se deri në orën 10:00 në vendvotime anembanë Serbisë është regjistruar një numër i madh parregullsish të niveleve të ndryshme, të cilat, sipas tyre, mund të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor.
Ndër parregullsitë më serioze veçohen votimi pa identifikim të vlefshëm, përpjekjet për të votuar në emër të personave të tjerë, futja e më shumë fletëvotimeve në kuti dhe nxjerrja e fletëvotimeve nga vendvotimi. Këto dukuri, siç thuhet, mund të tregojnë edhe për mekanizma të organizuar manipulimi si i ashtuquajturi “treni bullgar”, shkruan Danas, transmeton Dukagjini.
Në përmbledhjen paraprake të raportit thuhet se ndër parregullsitë më të shpeshta dominojnë fotografimi i fletëvotimeve, përdorimi i telefonave mobilë, votimi familjar dhe në grup, si dhe mbajtja e listave paralele të votuesve. Po ashtu janë evidentuar raste të sjelljes së organizuar të votuesve dhe prania e personave të paautorizuar në vendvotime.
“Është regjistruar një numër i konsiderueshëm parregullsish serioze që mund të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor, veçanërisht modele të presionit sistematik ndaj votuesve dhe përpjekje për manipulim të vullnetit zgjedhor”, thuhet në raportin e misionit vëzhgues.
Megjithëse në vendvotime nuk është regjistruar dhunë fizike, vëzhguesit theksojnë se në afërsi të tyre janë regjistruar një sërë incidentesh – përfshirë praninë e një numri të madh personash të maskuar me kapele që lëvizin në grupe, si dhe sulme ndaj gazetarëve dhe vëzhguesve. Sipas vlerësimeve, një atmosferë e tillë në disa komuna krijon përshtypjen e një tensioni serioz sigurie dhe ndikon në lirinë e votuesve për të votuar pa presion.
Shqetësim të veçantë, siç thuhet, paraqesin rastet e mbajtjes së evidencave paralele të votuesve, që sipas vëzhguesve shfaqen në të gjitha komunat ku sot mbahen zgjedhjet lokale.
“Mbajtja e listave paralele përbën një indikator serioz të presionit sistematik ndaj votuesve dhe përpjekjeve për kontroll të vullnetit zgjedhor”, paralajmërohet në raport.
Po ashtu janë raportuar raste të sjelljes së organizuar të votuesve, si dhe situata ku pranë vendvotimeve shpërndahen pako apo të mira të tjera materiale. Vëzhguesit kanë regjistruar edhe praninë e personave që nuk janë pjesë e komisioneve zgjedhore, përfshirë, siç thuhet, “vëzhgues të rremë”.
Në raport theksohen edhe një sërë parregullsish procedurale, si: vulosje e papërshtatshme e kutive të votimit, vonesa në hapjen e vendvotimeve, parregullsi në verifikimin e identitetit, përdorim i parregullt i llambave UV dhe probleme me listat e votuesve.
Kreni-Promeni thekson se rreziku më i madh për integritetin e procesit zgjedhor deri më tani është evidentuar në komunat: Aranxhelovac, Bajna Bashta, Bor, Klladovo, Luçani, Kula dhe Smedervska Pallanka.