Pas raporteve të Freedom House dhe V-Dem, edhe raporti i BTI e rendit Serbinë nga demokraci e dëmtuar në autokraci

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq

Serbia po përjeton një regres të thellë demokratik, duke kaluar nga një sistem me mangësi demokratike drejt tipareve të theksuara autokratike.

Ky është përfundimi i raportit të fundit të Bertelsmann Transformation Index (BTI), i cili vjen në vijim të vlerësimeve të ngjashme nga Freedom House dhe V-Dem, që prej kohësh kanë sinjalizuar përkeqësimin e standardeve demokratike në Serbi.

Raporti thekson se pushteti politik në Serbi është përqendruar pothuajse tërësisht në duart e presidentit Aleksandar Vuçiq, pavarësisht rolit të tij kryesisht ceremonial sipas Kushtetutës. Institucionet kyçe, përfshirë parlamentin dhe qeverinë, funksionojnë në praktikë si mekanizma që konfirmojnë vendimet e ekzekutivit, duke dobësuar ndarjen e pushteteve dhe kontrollin demokratik.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me kufizimin e lirive themelore. Edhe pse Kushtetuta garanton lirinë e tubimit dhe organizimit, raporti thekson se këto të drejta shpesh cenohen për arsye politike. Ndalimi i festivalit “Mirdita, dobar dan!” në Beograd në vitin 2024 dhe trajtimi i ashpër i protestave kundër qeverisë janë përmendur si shembuj konkretë të ndërhyrjes së shtetit. Protestat anti-korrupsion të viteve 2024–2025 u shoqëruan me arrestime arbitrare, dhunë dhe fushata diskredituese ndaj protestuesve.

Në fushën e mediave dhe lirisë së shprehjes, raporti evidenton presion të vazhdueshëm ndaj gazetarëve dhe mediave të pavarura. Sulmet fizike, fushatat shpifëse dhe paditë strategjike (SLAPP) janë bërë më të shpeshta, ndërsa qeveria ushtron ndikim të madh në tregun mediatik përmes financimit publik, reklamave dhe kontrollit të rrjeteve të shpërndarjes. Institucione të rëndësishme rregullatore, si organi për media elektronike (REM), konsiderohen të kapura politikisht.

Sistemi i drejtësisë mbetet një tjetër pikë e dobët. Edhe pse reforma kushtetuese synoi rritjen e pavarësisë së gjyqësorit, ndikimi politik në emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve vazhdon. Prokuroria përshkruhet si hierarkike dhe e ndjeshme ndaj presioneve politike, ndërsa rastet e korrupsionit në nivele të larta shpesh trajtohen vetëm pas presionit publik ose përplasjeve brenda elitës politike.

Raporti nënvizon gjithashtu një kulturë të pandëshkueshmërisë për zyrtarët e lartë, duke e renditur Serbinë ndër vendet më të dobëta në botë për ndëshkimin e abuzimeve me pushtetin. Edhe pse janë ndërmarrë disa hapa formalë, si miratimi i strategjisë kundër korrupsionit, zbatimi i tyre mbetet i kufizuar dhe shpesh shihet si formal.

Në aspektin e të drejtave civile, raporti evidenton probleme të vazhdueshme, përfshirë diskriminimin ndaj grave, komunitetit LGBTQ+ dhe veçanërisht ndaj romëve. Po ashtu, raportohen raste të dhunës policore dhe kushte të dobëta në burgje.

Sipas BTI, sistemi politik në Serbi karakterizohet nga polarizim i lartë dhe dominim i një partie të vetme, Partisë Progresive Serbe (SNS), e cila kontrollon pothuajse të gjitha nivelet e pushtetit. Opozita mbetet e fragmentuar dhe me ndikim të kufizuar, ndërsa shoqëria civile, ndonëse aktive, shpesh përballet me sulme dhe delegjitimim nga pushteti.

Shija e redaktorit

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Të fundit nga rubrika