Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar të dielën për përcaktimin e çmimeve maksimale ditore të derivateve në Kosovë.
Sipas këtij vendimi, çmimi maksimal për naftë është 1.86 euro për litër, ndërsa për benzinë 1.49 euro për litër.
MINTI ka miratuar një vendim të ri për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës në tregun vendor, me synim rritjen e transparencës dhe parashikueshmërisë në formimin e tyre. Vendimi ka hyrë në fuqi nga sot.
Në njoftim thuhet se ky vendim bazohet në analizat e vazhdueshme të tregut të derivateve, duke përfshirë të dhënat e importit dhe lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si dhe vlerësimet e institucioneve mbikëqyrëse.
“Ky vendim vjen si rezultat i analizës së vazhdueshme të tregut të derivateve, përmes të dhënave të importit dhe monitorimit të lëvizjeve të çmimeve në tregun ndërkombëtar, si dhe vlerësimeve të institucioneve mbikëqyrëse të tregut. Në bazë të këtij mekanizmi, Ministria do të publikojë çdo ditë, jo më vonë se ora 10:00, çmimin maksimal të lejuar për shitjen e derivateve në tregun vendor, i cili do të bazohet në mesataren e importeve të përditësuara të 10 milion litrave për naftën (dizel) dhe 1 milion litrave për karburantet tjera”, thuhet në njoftimin e MINT-it.
Sipas mekanizmit të ri, Ministria do të publikojë çdo ditë, jo më vonë se ora 10:00, çmimin maksimal të lejuar për shitjen e derivateve, bazuar në mesataren e importeve të përditësuara prej 10 milionë litrave për naftën dhe 1 milion litra për karburantet tjera.
Përmes këtij vendimi synohet të sigurohet një treg më i drejtë dhe më i unifikuar, duke shmangur luhatjet e menjëhershme dhe të pajustifikuara të çmimeve në shitjen me pakicë.
Ministria ka theksuar se asnjë operator ekonomik nuk lejohet të tejkalojë çmimin maksimal të publikuar. Për zbatimin e vendimit do të shtohet mbikëqyrja në terren nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore dhe Autoritetin e Konkurrencës.
Mes tjerash, MINTI u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë që të zbatojnë me përpikëri këtë vendim, duke theksuar se masat synojnë të sigurojnë barazi në treg, mbrojtje për konsumatorët dhe stabilitet në një periudhë me luhatje të mëdha në tregjet globale të naftës.
Ditët e fundit është raportuar për rritje të çmimeve të derivateve në Kosovë. Në disa raste, operatorët nuk kanë respektuar çmimet tavan të vendosura, ndërsa në Prishtinë një litër naftë është shitur deri në 1.99 euro.