Mbretëria e Bashkuar ka vendosur anije luftarake dhe avionë pas zbulimit të aktivitetit të shtuar detar rus në Atlantik, në veri të vendit, bëri të ditur Sekretari i Mbrojtjes, John Healey.
Duke folur nga Downing Street, ai tha se tre nëndetëse ruse kishin zhvilluar një operacion “të fshehtë” në rajon. Si përgjigje, forcat britanike angazhuan një anije luftarake dhe avionë, ndërsa anijet ruse u monitoruan “24/7” gjatë një misioni që zgjati një muaj.
Megjithatë, Healey theksoi se nuk ka “asnjë provë” që infrastruktura britanike në Atlantik të jetë dëmtuar.
“Forcat tona të armatosura nuk i lanë ata në dyshim se po monitoroheshin, se lëvizjet e tyre nuk ishin të fshehta, siç planifikoi Presidenti (rus) Vladimir Putin, dhe se përpjekja e tyre për operacion sekret ishte zbuluar”, u shpreh ai.
Healey dha një mesazh të drejtpërdrejtë për presidentin rus Vladimir Putin.
“Ne e shohim aktivitetin tuaj mbi kabllot dhe tubacionet tona, dhe ju duhet ta dini se çdo përpjekje për t’i dëmtuar ato nuk do të tolerohet dhe do të ketë pasoja serioze”, tha ai.
Ai theksoi gjithashtu se Rusia mbetet kërcënimi kryesor për Mbretërinë e Bashkuar dhe NATO-n.
“Jam mjaft i qartë se Putini do të donte që ne të shpërqendroheshim nga Lindja e Mesme, dhe ajo që po paraqes sot tregon se ne nuk po ekspozojmë vetëm operacionin e tij të fshehtë, por po i themi atij se e njohim Rusinë si kërcënimin kryesor për Mbretërinë e Bashkuar dhe NATO-n, dhe se nuk do t’i heqim sytë nga Putini, ndërsa në të njëjtën kohë, veprojmë për të mbrojtur interesat tona britanike dhe aleatët tanë britanikë në Lindjen e Mesme”, tha Sekretari i Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, John Healey.
‘To President Putin, I say, we see you. We see your activity over our cables and pipelines. You should know that any attempt to damage them will not be tolerated and will have serious consequences.’ John Healey says the UK has detected ‘increased Russian activity in the Atlantic’ pic.twitter.com/8UlRMMx3Wy
— Sky News (@SkyNews) April 9, 2026