Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të marrë pjesë në bisedimet mes Izraelit dhe Libanit që do të mbahen në Washington.
Sipas agjencisë Reuters, takimi është planifikuar të zhvillohet në orën 11:00 sipas kohës lokale të SHBA-së (15:00 GMT / 16:00 BST), mes ambasadorit izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, dhe ambasadores së Libanit, Nada Hamadeh Moawad.
Në takim do të marrin pjesë gjithashtu edhe përfaqësues të tjerë amerikanë, përfshirë ambasadorin e SHBA-së në Liban, Michel Issa, dhe këshilltarin e Departamentit të Shtetit, Michael Needham.
Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, ka bërë thirrje që Libani të tërhiqet nga këto bisedime.
Ndërkohë, palët kanë dhënë deklarata të ndryshme për objektivin e takimit. Presidenca e Libanit thotë se diskutimet do të fokusohen në shpalljen e armëpushimit dhe përcaktimin e një date për negociata dypalëshe, ndërsa Bejruti thekson se delegacioni libanez është i autorizuar vetëm për çështjen e armëpushimit.
Nga ana tjetër, Izraeli ka deklaruar se nuk do të diskutojë armëpushimin në këtë fazë, por do të fokusohet në çarmatosjen e Hezbollahut dhe në vendosjen e marrëdhënieve paqësore me Libanin.