Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësime për projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, gjatë mbledhjes së Komisionit për Legjislacion.
Ai tha se projektligji ka disa probleme që, sipas tij, bien ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardet ligjore në fuqi.
Sipas Tahirit, së pari, projektligji nuk i është nënshtruar konsultimit publik, siç kërkohet me Rregulloren e Punës së Qeverisë, duke e cilësuar këtë si shkelje procedurale dhe mungesë transparence.
Së dyti, ai kritikoi faktin që Byrosë dhe drejtorit të saj u jepet kompetenca që procedurat e verifikimit t’i rregullojnë përmes akteve nënligjore, duke thënë se kjo bie ndesh me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, pasi këto çështje duhet të përcaktohen me ligj.
Gjithashtu, Tahiri ngriti shqetësime për parashikimet mbi retroaktivitetin në projektligj, duke vlerësuar se ato cenojnë sigurinë juridike dhe janë në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Në fund, ai theksoi se ky projektligj nuk duhet të krijojë një “strukturë paralele institucionale”, por një institucion funksional në shërbim të drejtësisë dhe qytetarëve.