Deputetja e PDK-së Vlora Çitaku, pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se nëse shumica parlamentare është e interesuar për të zgjedhur presidentin nuk e ka opsion të vetëm, vetëm bashkëbisedimin dhe dakordimin me PDK-në, ka edhe opsione të tjera.
“Parlamenti i Republikës së Kosovës i ka 120 deputetë. Partia Demokratike e Kosovës i ka vetëm 22 deputetë. Shumica parlamentare nëse është e interesuar për të zgjedhur presidentin nuk e ka opsion të vetëm bashkëbisedimin dhe dakordimin me PDK-në, ka edhe opsione të tjera”.
Ajo ka theksuar se PDK ka kërkuar nga Kurti të formalizojë kërkesën e tij ndaj kësaj partie përmes një letre të shkruar, porse deri tash nuk kanë marrë asgjë.
“Zgjedhja e presidentit është një moment shumë i rëndësishëm për një demokraci parlamentare. Dhe ne kemi deklaruar që kjo çështje duhet të trajtohet me seriozitetin që i takon, çështjes në fjalë dhe kemi kërkuar nga zoti Kurti që të formalizojë kërkesën e tij karshi Partisë Demokratike të Kosovës në një letër të shkruar. Deri në këtë moment një letër e tillë nuk ka ardh në adresë të Partisë Demokratike të Kosovës, ndoshta ka adresa tjera”, tha ajo.
Sa i përket qëndrimit për ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, tha se do të bëhet i ditur në seancë.
“Qëndrimin tonë do ta bëjmë të ditur në seancën plenare, nesër do ta kemi mbledhjen e grupit parlamentar. Mirëpo është shumë e rëndësishme që të jemi të kujdesshëm”, tha ajo.