Një operacion i përbashkët i Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, përkatësisht Task Forcës “White Star”, ka çuar në arrestimin e katër personave të dyshuar për trafikim të narkotikëve.
Aksioni është zhvilluar më 13 prill në Komunën e Ferizajt, ndërsa dy arrestimet e fundit e kanë çuar në katër numrin total të të ndaluarve, A.D., S.Sh., M.Sh. dhe M.B.
Sipas njoftimit, të dyshuarit ngarkohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, si dhe shpëlarje parash.
Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 17 kilogramë e 900 gramë heroinë, ndërsa me urdhër të gjykatës janë kontrolluar katër lokacione të ndryshme, ku janë gjetur edhe prova të tjera relevante për hetimin.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda këtij afati pritet që Prokuroria Speciale të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Nga hetimet paraprake është bërë identifikimi i personave dhe lokacioneve ku ka operuar grupi kriminal, si dhe është lokalizuar vendi ku mbahej droga, e cila dyshohet se ishte përgatitur për transport.
Ndërkohë, dy persona të tjerë janë ende në kërkim, dhe Policia e Kosovës po vazhdon operacionet për arrestimin e tyre.