Një ditë pas ngjarjes së rëndë ku një ndërtesë 12-katëshe pranë “Farmacisë 10” në Tiranë u përfshi nga një zjarr i përmasave të mëdha, policia ka vënë në pranga katër persona.
Mediat në Shqipëri raportojnë se janë vënë në pranga administratori i pallatit me inicialet A.C, si dhe menaxherja e supermarketit me inicialet R.S. Supermarketi ndodhej në katin përdhesë të këtij pallati, dhe nga aty dyshohen se kanë nisur flakët.
Po ashtu në pranga janë vënë edhe inxhinieri me inicialet E.A i kompanisë “Arlis” si dhe A.F, administratori i kompanisë (kontraktori) që ka bërë fasadat e ndërtesës.
Ndërkohë është shpallur në kërkim edhe pronari i kompanisë së ndërtimit, me inicialet A.L.
Shkaku i zjarrit nuk është përcaktuar ende zyrtarisht, ndërsa materiali i përdorur në fasadë mund të ketë ndikuar në përhapjen e shpejtë të flakëve. Megjithatë, dyshohet se ka nisur nga djegia e disa kartonëve pranë supermarketit.
Sipas të dhënave paraprake, rreth 30 apartamente janë prekur nga flakët, të cilat dyshohet se kanë nisur në katin e parë të një biznesi.
Zjarri ka përfshirë plotësisht pjesën e jashtme të ndërtesës, duke djegur fasadën me dy shtresa dhe duke dëmtuar edhe strukturën e brendshme në disa pjesë.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë një ndërtesë të nxirë nga flakët, rrënoja dhe tym që vijon të dalë edhe këtë të mërkurë.
Pallati i përfshirë në flakë, me subjekt ndërtues shoqërinë “Arlis Ndërtim”, ka qenë fillimisht me leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.
Në vitin 2022, objekti është legalizuar dhe hipotekuar, duke qenë kështu e pajisur me dokumentacion të plotë pronësie për të gjithë ndërtimin. Situata sakaq është vënë nën kontroll./tvklan