Konjufca pas takimit me homologun belg: Belgjika partner i rëndësishëm në BE, presim anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka vlerësuar lart marrëdhëniet me Belgjikën pas takimit me homologun e tij, Maxime Prevot, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të këtij shteti ndaj Kosovës.

Në një konferencë për media, Konjufca deklaroi se raportet ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës janë të shkëlqyera dhe në rritje të vazhdueshme.

“Vizita e tij dhe takimi që sapo e përfunduam janë dëshmi e qartë e marrëdhënies së shkëlqyeshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës, si dhe e vullnetit të përbashkët për t’i thelluar këto marrëdhënie akoma më tej. I dashur Zëvendëskryeministër, miku i Kosovës Prevot, më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen tonë më të thellë për mbështetjen e palëkundur që Belgjika ia ka dhënë Republikës së Kosovës ndër vite. Që nga qëndrimi parimor në mbështetje të ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 e deri te njohja e pavarësisë sonë, vetëm pak ditë pas shpalljes së saj nga ana e Belgjikës, e pastaj përkrahja e vazhdueshme e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian, por edhe për anëtarësimin tonë në shumë organizata ndërkombëtare, janë mbështetje e Belgjikës që ka qenë shumë e rëndësishme për Republikën e Kosovës dhe që si e tillë vlerësohet edhe nga ana e popullit, edhe nga ana e institucioneve të vendit tonë“, tha ai.

Ai theksoi gjithashtu kontributin e Belgjikës në ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe diplomatike të Kosovës, përmes trajnimeve dhe shkëmbimit të ekspertizës, që sipas tij kanë ndikuar drejtpërdrejt në profesionalizimin e diplomatëve kosovarë.

Konjufca e cilësoi Belgjikën si një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës brenda Bashkimit Evropian, duke vlerësuar mbështetjen e saj në procesin e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës.

“Jemi mirënjohës për rolin që vendi juaj ka luajtur për ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve tona, veçanërisht edhe në radhët e stafit diplomatik të kësaj ministrie ku po qëndroni sot. Si një nga vendet e para që ka ofruar mbështetje konkrete në drejtim përmes trajnimeve dhe shkëmbimit të ekspertizës, Belgjika ka kontribuar drejtpërdrejt për po ashtu formësimin profesional edhe të brezit tonë të diplomatëve që sot e përfaqësojnë Republikën e Kosovës në 53 misione që i kemi ne nëpër të gjitha anët e botës. Gjatë takimit produktiv që e patëm, diskutuam për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik, por edhe ekonomik e në të gjitha fushat e vendeve tona, por unë do ta theksoja sidomos politikën e jashtme, fushën e sigurisë dhe atë të mbrojtjes. Në fushën e politikës së jashtme, Belgjika është një nga partnerët më të rëndësishëm brenda Bashkimit Evropian dhe në këtë frymë ia shpreha vlerësimin tim më të lartë Zëvendëskryeministrit Prévot për mbështetjen e tyre gjatë procesit për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, që ishte një hap shumë i rëndësishëm përpara në aspiratat tona evropiane“, u shpreh tutje ai.

Në këtë kontekst, Konjufca theksoi se Kosova pret një anëtarësim të shpejtë në Këshilli i Evropës.

“Në të njëjtën kohë e theksova, i theksova pritjet që i ka Republika e Kosovës sa i përket proceseve integruese, e në radhë të parë marrjes së pyetësorit nga ana e Bashkimit Evropian, i cili… domethënë e cila është një çështje që po pret e po bëhen tri vite e gjysmë prej kur kjo çështje ende nuk po trajtohet nga ana e Brukselit dhe Bashkimit Evropian.

Mbështetja që Belgjika ka dhënë në proceset integruese të Kosovës deri më tash ka qenë shumë e rëndësishme për vendin tonë dhe presim që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në fazat e ardhshme të rrugës tonë, edhe drejt Këshillit të Evropës ku presim një anëtarësim të ndodhë shpejt, edhe në rrugën, në qartësimin e rrugës tonë drejt Bashkimit Evropian. Në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, Belgjika ka qenë një partnere e rëndësishme e Republikës së Kosovës përgjatë gjithë momenteve kyçe të historisë sonë moderne“, theksoi tutje ai.

Shija e redaktorit

SHBA kërkon mbylljen e UNMIK-ut: Kosova s’mund të trajtohet si...

Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Tammy Bruce, ka ritheksuar qëndrimin e SHBA-së për...

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë shënon 18-vjetorin e ngritjes

Më 8 prill 2008, statusi i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ndryshoi zyrtarisht nga “Zyrë e SHBA-së” në “Ambasadën e SHBA-së në...

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Të fundit nga rubrika