Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar deklarimet vjetore të pasurisë për zyrtarët e lartë shtetërorë, ku përfshihen edhe kryeministri Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherësh kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu.
Sipas deklarimit, Kurti nuk ka pasur ndryshime në pasuritë e paluajtshme. Ai ka deklaruar si pasuri të paluajtshme banesën në pronësi të bashkëshortes, në vlerë prej 530 mijë euro.
Megjithatë, ndryshime janë vërejtur në aspektin financiar, ku kursimet e tij kanë rënë krahasuar me vitin paraprak.
Si para të gatshme, Kurti ka deklaruar vetëm 16 euro e 41 centë në emër të tij, ndërsa bashkëshortja e tij ka 19 mijë e 500 euro, të ardhura nga paga dhe trashëgimia. Po ashtu, janë deklaruar edhe 2 mijë euro kursime të vajzës dhe 50 euro të tjera nga familjarët. Një vit më parë, Kurti kishte deklaruar rreth 1 mijë e 800 euro kursime.
Ndërkohë, është rritur edhe shpenzimi për qiranë e banesës, e cila tani arrin në 350 euro në muaj, nga 250 euro sa ishte më herët. Sa i përket detyrimeve, ai ka deklaruar një kredi të bashkëshortes me vlerë të mbetur prej 160 mijë eurosh. Të hyrat vjetore të Kurtit nga paga si Kryeministër janë 21 mijë e 315 euro, ndërsa bashkëshortja e tij ka të hyra vjetore prej 51 mijë euro.
Në anën tjetër, Albulena Haxhiu ka deklaruar blerjen e një banese të re gjatë këtij viti, në vlerë prej 128 mijë e 740 euro, të cilën e ka blerë së bashku me bashkëshortin përmes kredisë. Banesa ka sipërfaqe prej 128.74 metrash katrorë.
Në deklarimin e saj, figuron një kredi në emër të Haxhiut në vlerë prej 160 mijë euro, me një shumë të mbetur prej mbi 159 mijë eurosh. Bashkëshorti i saj ka të deklaruar gjithashtu një banesë tjetër në vlerë 60 mijë euro dhe një tokë prej 15 mijë euro.
Sa i përket pasurive të luajtshme, Haxhiu ka deklaruar një veturë në pronësi të përbashkët, me vlerë 9 mijë e 700 euro. Ndërkohë, si para të gatshme ka deklaruar 1 mijë e 531 euro.
Në detyrimet financiare është përfshirë edhe një shumë prej 1 mijë e 100 euro në emër të bashkëshortit. Të hyrat vjetore të Haxhiut përfshijnë pagën nga Kuvendi në vlerë prej 22 mijë e 658 euro, mëditje dhe shtesa të tjera, ndërsa bashkëshorti i saj ka të ardhura prej mbi 16 mijë euro nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si dhe mëditje nga udhëtimet jashtë vendit.