Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pas një debati të gjatë parlamentar.
Projektligji kaloi me 81 vota për, asnjë kundër dhe 25 abstenime, duke kaluar kështu fazën e parë të procedurës legjislative.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, gjatë prezantimit në Kuvend, theksoi se projektligji dërgon një mesazh të qartë se funksioni publik nuk mund të përdoret si mburojë për pasurim të paligjshëm.
“Byroja nuk konfiskon, nuk gjykon, nuk i zëvendëson gjykatat, byroja mbledh verifikon dhe analizon informacionin, konfiskimin e bën gjykata. Ky ligj nuk merret me qytetarin e zakonshëm por me zyrtarët publikë… Qytetari i zakonshëm nuk është objekt i këtij ligji. Procedurat nuk nisin arbitrarisht por mbi bazë të informatave kredibile. Të drejtat e palëve janë të garantuara në çdo fazë. Ky projektligj është ndërtuar mi logjikën e përgjegjësisë provës kontrollit gjyqësor dhe interesit publik”, ka thënë Gërvalla.
Megjithatë, opozita ka shprehur rezerva të konsiderueshme. Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se partia e tij nuk është kundër në parim, por kritikoi mungesën e konsultimit publik dhe paqartësitë në tekstin ligjor.