Nga jashtë dukej si shtëpi e zakonshme fshati.
Por, brenda saj, ishte krijuar një laborator i sofistikuar droge në Jabllanicë të Pejës.
Në një nga dhomat në katin e dytë, u gjetën dhjetëra bimë kanabisi.
Për kultivimin tyre, ishin krijuar të gjitha kushtet e nevojshme.
Nga lart ngrohëset e avancuara energjetike. Poshtë, freskueset e ajrit.
Por, që të gjitha u sekuestruan të shtunën nga Policia, përfshirë edhe armë zjarri e të ftohta.
“Gjithsej janë 91 bimë, nga naltësia 1.5 deri në 0.8. Kemi gjetë edhe vazot e vogla dhe pajisjet tjera, që dëshmojnë që këtu janë kryer të gjitha veprat penale”, ka thënë Drejtori i Antidrogës.
Por, krahas, sekuestrimit, pati arrestim.
“Kemi arrestuar një të dyshuar për tri vepra penale: dy për substanca narkotike dhe armëmbajtje pa leje”, ka thënë Sahide Gashi, Prokurore e rastit.
Por, këto nuk janë veprat e vetme penale për të cilat dyshohet.
‘’Pajisjet të cilat janë shfrytëzu, janë të kyçura në mënyrë ilegale”, ka thënë Sahide Gashi, Prokurore e rastit.
Në vendin e ngjarjes, u thirr edhe avokatja e të dyshuarit.
“Jam thirrë sipas detyrës zyrtare nga oda e avokatëve. Mund të them që klienti im është deklaru mjaftë bashkëpunues”, ka thënë Zana Krasniqi, Avokate e të dyshuarit.
Kështu, në fund, pas përfundimit të aksionit, të gjitha bimët u asgjësuan, qindra metra larg vendit ku ndodhej laboratori.