Haxhiu kujton Sali Çekajn: Heroi ynë besoi fort në idenë se kufijtë që ndajnë një popull nuk janë të përjetshëm

Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherit kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar jetën dhe veprën e veteranit Sali Çekaj, raporton Ekonomia Online.

Haxhiu për të ndjerin Çekaj vlerësoi se zgjodhi rrugën më të vështirë për të arritur lirinë.

“Historia jep kuptim kohës, por drejtimin e saj e përcaktojnë njerëzit. Ata që në çaste të vështira nuk presin rrethanat të ndryshojnë, por marrin mbi vete barrën për t’i ndryshuar ato. Në mesin e tyre qëndron edhe heroi Sali Çekaj, të cilin e kujtojmë sot në 27-vjetorin e rënies së tij. Jeta e Sali Çekaj nuk mund të ndahet nga rrjedha e historisë së Kosovës. I lindur në Broliq, në një familje me traditë atdhetare, i formuar si jurist dhe më vonë i angazhuar si gjyqtar, ai mund ta kishte zgjedhur një jetë më të qetë. Por ai zgjodhi rrugën më të vështirë, atë që kërkon guxim, sakrificë dhe besim të palëkundur se liria nuk mund të dhurohet. Formimi i tij nuk lejonte të rrinte mënjanë kundrejt represionit dhe tendencës për shfarosjen e popullit shqiptar të Kosovës nga regjimi i Serbisë. Që në vitin 1991, në kohën kur rezistenca e armatosur ende nuk kishte marrë formë të plotë, Saliu, bashkë me komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti, u angazhuan për lirinë e vendit tonë. Që nga përgatitjet e para ushtarake, organizimi i grupeve në vend e në mërgatë, apo sigurimi i mjeteve financiare, Sali Çekaj ishte aty kudo. Gjithë ky angazhim nuk u pa botë, por pikërisht angazhimi i hershëm që e bëri të mundur historinë ishte ky, sepse luftërat nuk fitohen vetëm në front, fitohen shumë më herët me organizim, me përkushtim dhe me guxim. Ato përgatitje morën formë në Koshare, aty ku ideja e lirisë e ndërtuar me vite u kthye në veprim të hapur dhe në përballje të drejtpërdrejtë. Në prill të vitit 1999, në një terren të vështirë dhe në një përballje të drejtpërdrejtë, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërmorën një nga aktet më të rëndësishme të luftës sonë për liri, shembjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. Kufiri i vendosur padrejtësisht, që për dekada kishte ndarë jo vetëm tokën, por edhe mundësinë për ta menduar lirinë si diçka të plotë. Më 9 prill 1999 filloi beteja, përballja ishte e pabarabartë. Përballë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qëndronte një forcë më e madhe në numër dhe më e pajisur në armatim. Por UÇK-ja kishte më pak armatim, më pak ushtarë, por kishte shumë më shumë motiv, kishte ideal dhe betim për të mos u zmbrapsur me asnjë kusht. Dhe pikërisht ky betim e ndryshoi rezultatin. Luftime të ashpra u zhvilluan përgjatë gjithë vijës së frontit, me kalimin e ditëve forcat serbe pësuan humbje të mëdha”, tha Haxhiu.

Ajo tha se heroi Çekaj besonte se kufijtë që ndajnë një popull nuk janë të përjetshëm.

“Më 9 prill të vitit 1999, ra heroikisht edhe Sali Çekaj. Veterani, jeta e të cilit ishte ndërthurur me çdo etapë të përpjekjes për liri, gjithmonë në shërbim të atdheut, gjithmonë në vijën e parë të frontit. Heroi ynë besoi fort në idenë se kufijtë që ndajnë një popull nuk janë të përjetshëm. Për të, shembja e kufirit ndërshqiptar ishte përmbushja e amanetit shekullor për liri, shtet dhe për të qenë afër njëri-tjetrit. Ai la pas shembullin e një njeriu që kalon nga bindja në veprim, nga fjala në organizim dhe nga ideja në strategji. Tek ai u bashkuan përvoja e brezit të vjetër dhe vendosmëria e brezit që po vinte. Në 27-vjetorin e rënies së tij, me plot gojë themi se ishte ai komandant, ishte strateg, i destinuar për të qenë hero. Sali Çekajjetoi dhe ra për të na bashkuar ne që na ndanë me dhunë, duke e kthyer kufirin në kujtesë dhe emrin e tij në detyrim të përhershëm për liri. Lavdi jetës dhe veprës së heroit Sali Çekaj, lavdi gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Haxhiu./EO

Shija e redaktorit

Bashkëjetesa ndërfetare në Kosovë, vlerë e trashëguar ndër shekuj

Bashkëjetesa ndërfetare në Kosovë vlerësohet si një vlerë e trashëguar ndër shekuj dhe thelbësore për të ardhmen e vendit, ndërsa dialogu, respekti i ndërsjellë...

SHBA kërkon mbylljen e UNMIK-ut: Kosova s’mund të trajtohet si...

Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Tammy Bruce, ka ritheksuar qëndrimin e SHBA-së për...

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë shënon 18-vjetorin e ngritjes

Më 8 prill 2008, statusi i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ndryshoi zyrtarisht nga “Zyrë e SHBA-së” në “Ambasadën e SHBA-së në...

Të fundit nga rubrika