Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit gjyqësor që ka dënuar me burgim të përjetshëm përgjegjësit për vrasjen e Liridona Ademajt, duke e cilësuar atë si një përgjigje të fortë dhe të merituar të drejtësisë për një krim që ka tronditur vendin.
Haxhiu tha se përpjekjet për ta fshehur vrasjen përmes skenarëve të rremë vetëm e kanë rënduar edhe më shumë rastin, ndërsa theksoi se vendimi i gjykatës dërgon mesazh të qartë se askush nuk mund të planifikojë apo të kryejë krime të tilla pa u përballur me drejtësinë.
“Asnjë vendim gjykate nuk e kthen Liridonën pranë fëmijëve të saj, pranë vëllaut, pranë familjes por ky aktgjykim e bën të qartë se askush nuk mund të planifikojë, të urdhërojë apo të kryejë një krim të tillë dhe të mendojë se do t’i shpëtojë drejtësisë. Lufta kundër femicidit kërkon vigjilencë të përhershme, institucione të forta dhe zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ajo gjithashtu shprehu ngushëllime për familjen e Ademajt, duke theksuar se ndërtimi i një shoqërie ku gratë jetojnë të lira, të mbrojtura dhe me dinjitet mbetet mënyra më e mirë për të nderuar kujtimin e saj.
“Sot e kujtojmë Liridonën me dhimbje dhe respekt. Nderimin më të madh për të do ta tregojmë duke ndërtuar një Kosovë ku çdo grua jeton e lirë, e mbrojtur dhe me dinjitet. Në këto momente, jam pranë familjes së saj dhe uroj që ky vendim, sado pak, t’u sjellë një grimë qetësie në dhimbjen e tyre të thellë”, ka shtuar ajo.