Shtetet e Bashkuara dhe Kosova po vazhdojnë të avancojnë “interesat e përbashkëta të sigurisë” dhe të “forcojnë stabilitetin rajonal”.
Kështu tha Ambasada amerikane në Prishtinë në një postim në rrjetet sociale lidhur me përmbylljen e vizitës në Kosovë të ambasadorit amerikan në NATO, Matthew Whitaker.
“Vizita e tij vuri në pah kontributet në rritje të Kosovës për përpjekjet e SHBA-së për të adresuar sfidat globale dhe rëndësinë e bashkëpunimit tonë përmes KFOR-it dhe përmes Programit për Partneritet të Gardës Kombëtare me Ajovën. Së bashku, SHBA-ja dhe Kosova vazhdojnë të avancojnë interesat e përbashkëta të sigurisë dhe forcimit të stabilitetit rajonal”, tha Ambasada amerikane.
The U.S. Embassy was proud to facilitate @USAmbNATO Ambassador Whitaker’s visit to Kosovo. During his trip, Ambassador Whitaker met with Kosovo leaders, U.S. military personnel, and partners working to strengthen the country’s security and stability. His visit highlighted… pic.twitter.com/nbcrmpRyib
— U.S. Embassy Pristina (@USEmbPristina) April 22, 2026
Një ditë më parë, Whitaker zhvilloi takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash.
Ndërkaq në qendër të takimeve, sipas njoftimeve të lëshuara nga zyra e Kurtit, Haxhiut dhe KFOR-it, ishte siguria në Kosovë dhe rajon.
Kosova i është bashkuar Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën dhe pritet të dërgojë trupa në territorin palestinez. Kjo forcë është një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së Bordit të Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.
Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.
Po ashtu, vendi e konsideron si qenësore aleancën me SHBA-në, shtet që ka kontribuar në pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Kosova, që është në proces të transformimit të Forcës së Sigurisë në ushtri, gjithashtu po pajisjet me armë amerikane, teksa është mikpritës i bazës më të madhe amerikane në Ballkan, Bondsteel.
Përveç mbështetjes që SHBA ka dhënë për shndërrimin e FSK-së në ushtri, Uashingtoni kontribuon në trajnimin dhe edukimin e ushtarëve të Kosovës. FSK-ja merr pjesë në trajnime të ndryshme me ushtrinë amerikane dhe ka partneritet të ngushtë me Gardën Kombëtare të shtetit amerikan të Ajovës./RadioEvropaeLirë