Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për kontrabandim të mallrave në fshatin Hodonovc të komunës së Kamenicës, gjatë një aksioni të zhvilluar më 22 prill 2026 në kuadër të planit operativ “Gatishmëria Vepruese 2026”.
Sipas njoftimit, njësitet e Policisë Kufitare, pas sigurimit të informatave operative dhe vëzhgimit në terren, kanë identifikuar dhe ndaluar një traktor që dyshohet se kishte hyrë ilegalisht nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës.
Mjeti bujqësor është ndaluar në fshatin Hodonovc, ndërsa drejtuesi i tij, personi L.H. (1968), është intervistuar nga policia si i dyshuar.
Gjatë kontrollit të traktorit janë gjetur dhe sekuestruar pjesë për mjete bujqësore, kryesisht për traktorë, me vlerë mbi 5 mijë euro, të cilat dyshohet se janë kontrabanduar.
Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar më tej në koordinim me prokurorin kompetent, ndërsa i dyshuari është proceduar sipas ligjit.
Autoritetet e rendit kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftimin e kontrabandës dhe veprimtarive ilegale, me qëllim garantimin e sigurisë dhe rendit në vend.