Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë të ditur se është mbajtur një takim ndërinstitucional me fokus në zhvillimin dhe sfidat e sektorit të qumështit, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të Qeverisë dhe të industrisë përpunuese.
Sipas njoftimit, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, së bashku me Ministrin e Financave, Hekuran Murati, dhe Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, zhvilluan një takim të përbashkët me përfaqësues të sektorit të qumështit dhe institucioneve relevante, për të adresuar zhvillimet dhe sfidat aktuale në treg, njofton Dukagjini.
Gjatë diskutimeve u theksua se sektori po përballet me vështirësi në plasimin e qumështit vendor, si pasojë e ndryshimeve në strukturën e tregut, rritjes së importeve dhe përdorimit të inputeve zëvendësuese.
Ministri Muja ka theksuar nevojën që industria përpunuese të rrisë grumbullimin e qumështit nga fermerët vendorë, duke e cilësuar këtë si element kyç për stabilitetin e tregut dhe mbrojtjen e prodhimit vendas.
“Gjatë diskutimeve u evidentua se fermerët kanë fuqi më të ulët negociuese në raport me përpunuesit dhe tregun, çka ndikon në çmimet dhe sigurinë e të ardhurave të tyre. Në këtë kontekst, u theksua se masa të ndryshme mbështetëse dhe rregullatore janë prezantuar dhe do të analizohen më tej, me qëllim që të shqyrtohen në një fazë të ardhshme në përputhje me nevojat e sektorit dhe kornizën ligjore. Po ashtu, u nënvizua domosdoshmëria për rritjen e investimeve në standardet sanitare, ruajtjen dhe grumbullimin e qumështit, si dhe në përmirësimin e kushteve në nivel ferme, për të rritur cilësinë dhe konkurrueshmërinë e prodhimit vendor. Institucionet dhe përfaqësuesit e sektorit u dakorduan për forcimin e bashkëpunimit dhe ndërmarrjen e hapave konkretë për një treg më të balancuar dhe të qëndrueshëm të qumështit në Kosovë” thuhet në njoftim.