Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi duhet të shmangë zgjedhjet e reja dhe të fokusohet në zgjidhjen e bllokadës institucionale përmes respektimit të vullnetit të qytetarëve.
Nëpërmjet një videomesazhi të publikuar, Kurti thotë se qytetarët kanë shprehur qartë vullnetin e tyre dhe ky rezultat, sipas tij, duhet të respektohet nga të gjitha subjektet politike, njofton Dukagjini.
Ai theksoi se organizimi i zgjedhjeve të reja do të kushtonte rreth 10 milionë euro, ndërsa do të shkaktonte edhe humbje të tjera financiare për Kosovën për shkak të mungesës së funksionimit të institucioneve dhe mbështetjes ndërkombëtare.
Kurti shtoi se zgjedhjet e reja nuk do ta zgjidhnin problemin e kuorumit për zgjedhjen e presidentit.
“Legjislatura e 10-të e ka zgjedhur kryesinë e Kuvendit dhe Qeverinë. Ajo tash duhet ta zgjedhë presidentin dhe të shmangë zgjedhjet sepse ato janë të panevojshme dhe humbin kohë dhe mjete të buxhetit të Kosovës. Organizimi i zgjedhjeve të reja do t’i kushtonte Kosovës së paku 10 milionë euro, mandej për shkak të mungesës së funksionimit të Kuvendit do të humbisnim shumë dhjetëra miliona euro të tjerë nga bashkësia ndërkombëtare, ndërkohë që rezultatet e zgjedhjeve të sërishme do të mund të ishin pak a shumë të përafërta me ato ekzistuese”, ka thënë Kurti.
Kurti deklaroi gjithashtu se ka bërë disa oferta për bashkëpunim me partitë opozitare, përfshirë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke ofruar poste në ekzekutiv dhe në Kuvend, por sipas tij, këto propozime janë refuzuar.
Tutje, Kreu i Qeverisë kritikoi ashpër qëndrimin e partive opozitare, duke thënë se ato nuk kanë propozuar kandidatë për president dhe se, sipas tij, po refuzojnë mundësitë për marrëveshje politike që do të shmangnin zgjedhjet e reja.
Kurti, mes tjerash, u shpreh se synimi i tij është stabiliteti institucional dhe shmangia e zgjedhjeve të përsëritura, duke shtuar se të gjitha përpjekjet për kompromis kanë ardhur nga ana e tij.
“Ne duhet të kemi parasysh dhe respektojmë vullnetin e popullit të shprehur përmes rezultatit zgjedhor: LVV ka 51.1% të votave apo 57 deputetë, ndërsa mazhoranca jonë arrin në 66 deputetë. Demokracia duhet të bazohet në vullnetin e popullit dhe në rezultatin zgjedhor, jo në marrëveshje politike që e anashkalojnë dhe shkelin atë. Pa respektimin e vullnetit të qytetarëve nuk mund të ketë marrëveshje politike. Ndërkaq, qëllimi është të shmangen zgjedhjet e përsëritura dhe të sigurohet stabiliteti institucional. Me rezultatin aktual zgjedhor, asnjë parti opozitare nuk ka numra të mjaftueshëm për të propozuar një kandidat për president pa bashkëpunim ato me njëra-tjetrën”.
“Kësisoj, janë bërë oferta për kompromis ndaj partive opozitare, duke u ofruar pozita të rëndësishme në institucione, me qëllim që të arrihet marrëveshje dhe të shmanget bllokimi institucional. Fatkeqësisht, këto oferta gjeneroze janë refuzuar anipse janë shumë të favorshme në raport me numrin e deputetëve që ka opozita. Çdo takim me ta është inicuar çdo herë nga unë, thua se Kosova është vetëm e imja. Krerët e PDK dhe LDK fatkeqësisht po sillen edhe më keq se Fatmir Limaj në vitin e kaluar. Realisht, ata nuk janë duke dashur as pushtet dhe as përgjegjësi për veten e tyre. Krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet. Por, këtë gjë nuk e vendosin ata”, u shpreh Kurti në videomesazhin e tij.