Vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës ku u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burgim të përjetshëm dy të akuzuarit për sulmin terrorist në “Banjskë”, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Toliq, ndërsa Dushan Maksimoviqin u dënua me 30 vjet burgim, zuri ballinat e mediave ndërkombëtare.
BBC, Reuters, Associated Press, The Washington Post, Al Jazeera janë disa nga mediat botërore që i dhanë një hapësirë në ballinën e tyre vendimit të sotëm e as në teks nuk u kursyen për të treguar krejt çka ndodhi në sulmin terrorist të 24-shtatorit të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku, njofton Dukagjini.
Kujtojmë se kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, këtë të premte u shpreh se të akuzuarit kishin për qëllim shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës, me qëllim për t’ia bashkuar këtë territor Serbisë.
“Të akuzuarin Blagoje Spasojeviq e gjykon me dënim me burgim të përjetshëm, të akuzuarin Vlladimir Tolliq e gjykon me dënim me burgim të përjetshëm, të akuzuarin Dushan Maksimoviq e gjykon me dënim me burgim me kohëzgjatje prej 30 viteve”, tha Arrni.
Vetëm Maksimoviq nga të akuzuarit mori pjesë në sallë gjatë shpalljes së aktgjykimit.
Më poshtë mund të shihni ballinat e mediave botërore.




