Herë për sjellje e herë për mos trajtim adekuat shëndetësor.
Këto janë vetëm dy llojet e ankesave që pacientët kanë kundrejt personelit mjekësor në institucionet shëndetësore publike.
Një të tillë e pati edhe një qytetar që të mërkurën erdhi nga Vushtrria në QKUK.
“Nuk janë shërbimet edhe krejt mirë se unë kisha dhimbje dhëmbi ata nuk ma hjeken tu më thënë jo tensioni po unë tension kam se 70 vjet i kam por këta si kanë edhe kushtet”.
Të ngjashme ankesa u pranuan në Odën e Mjekëve të Kosovës gjatë vitit 2025.
Në një përgjigje për Dukagjinin këta të fundit treguan se për 12 muaj janë pranuar 35 sosh.
“Ju njoftojmë se gjatë vitit 2025, në Odën e Mjekëve të Kosovës janë pranuar 35 ankesa ndaj anëtarëve të OMK-së, ndërsa gjatë këtij viti janë pranuar 17 ankesa. Këto ankesa shpesh lidhen me pretendime për sjellje jo adekuate ndaj pacientëve, si dhe me çështje administrative, si p.sh. mospërdorimi i faksimilit në raportet mjekësore. Prandaj, ky numër ankesash nuk nënkupton domosdoshmërisht mosofrim të shërbimeve shëndetësore nga ana e anëtarëve të Odës ndaj pacientëve”, thuhet nga Oda e Mjekëve.
Veç në Odën e Mjekëve, nga Shoqata e Pacientëve thonë se ka edhe adresa tjera për ankesa por që s’trajtohen si duhet.
“Mund të ankohen në pesë oda të profesionistëve shëndetësor, mund të ankohen në inspektorat shëndetësor, mund të ankohen në shoqatë të pacientëve në prokurori e polici por zgjidhjet për këto ankesa janë problematike sepse shpeshherë dënimet nuk janë meritore dhe po i dekurajojnë për ankesa prandaj më pas po e marrin drejtësin në duart e veta”, ka deklaruar Besim Kodra, nga Shoqata e Pacientëve.
Kodra tregoi se çka duhet të ndërmarr Ministria e Shëndetësisë që ankesat të trajtohet më me seriozitet.
“Ministria e Shëndetësisë duhet të krijoj mekanizma të veçantë për menaxhimin e ankesave të pacientëve, të specifikohen shkallët e ankesave, cila është shkalla e parë e cila e dyta e më pas të jepen edhe dënimet e merituara dhe të meren vendime meritore”, ka theksuar Kodra.
Ndërkohë nga Oda e Mjekëve mes tjerash kanë thënë që janë duke trajtuar ankesat në Këshillin e Etikës dhe varësisht gjetjeve do të merren edhe masa ndaj mantelbardhëve.