Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se janë caktuar seancat e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të akuzuarit për krime lufte, Grujica Veljoviq.
Sipas njoftimit, procesi gjyqësor pritet të zhvillohet në mungesë të tij.
Sipas njoftimit, Veljoviq ngarkohet me veprën penale “krime të luftës kundër popullsisë civile”, e paraparë fillimisht në legjislacionin penal të ish-RSFJ-së, ndërsa aktualisht e përkufizuar si “krime kundër njerëzimit” në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata ka theksuar se, në bazë të propozimit të Prokurorisë Speciale, është vendosur që gjykimi të mbahet në mungesë, për shkak se i akuzuari mbetet i paarritshëm për organet e drejtësisë.
Në të njëjtën kohë, përmes komunikatës zyrtare, gjykata i ka bërë thirrje Grujica Veljoviq që të paraqitet vullnetarisht para autoriteteve kompetente në Kosovë.