Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të pandehurve me inicialet F.U., N.S., J.M., B.L. dhe G.H., nën dyshimin për përfshirje në disa vepra penale.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit ngarkohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” dhe “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.
Hetimet tregojnë se të pandehurit, në bashkëkryerje, kanë falsifikuar dokumente duke përdorur identitet të rremë të një personi (S.V.) që kishte vdekur në vitin 1986. Dyshohet se një person i paidentifikuar (NN), me letërnjoftim të falsifikuar, është paraqitur si S.V. dhe, me ndihmën e noterit G.H., është hartuar një autorizim i rremë për shitjen e parcelave.
Ky dokument më pas është përdorur në zyrën kadastrale në Ferizaj për regjistrimin e pronave në emër të personave të tjerë, konkretisht A.L., L.S. dhe N.S.
Prokuroria dyshon se i pandehuri G.H., në cilësinë e noterit, ka keqpërdorur detyrën zyrtare për përfitime pasurore, duke ndihmuar në hartimin dhe legalizimin e dokumenteve të falsifikuara. Po ashtu, ai dyshohet se në një rast tjetër ka përpiluar kontratë shitblerjeje në gjuhën serbe për prona në Zonën Kadastrale Babushi serb, duke përfshirë edhe një parcelë prej 1724 m².
Ndërkohë, të pandehurit e tjerë dyshohen se kanë ndihmuar në përpilimin dhe përdorimin e autorizimeve të rreme, ndonëse kanë qenë në dijeni se identiteti i përdorur ishte i falsifikuar.
Në një rast tjetër, N.S. dhe L.S. dyshohen se kanë blerë prona të përfituara përmes veprave penale.
Të gjithë të dyshuarit, që nga 28 prilli 2026, ndodhen nën masën e ndalimit 48-orësh me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndërsa pritet vendimi i gjykatës lidhur me kërkesën për paraburgim.