Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar për nesër në ora 15:00 përfaqësuesit e partive politike në një takim konsultativ lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Sipas njoftimit të Presidencës, në këtë takim pritet të diskutohet për përcaktimin e datës së zgjedhjeve.
Pjesëmarrjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka konfirmuar zëdhënësi i saj, Besian Mustafa, i cili bëri të ditur se në takim do ta përfaqësojë deputetja Jehona Lushaku.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, Haxhiu ka zhvilluar një takim edhe me kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, i cili ka bërë të ditur se KQZ-ja ka propozuar 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve.
Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e 28 prillit për ta zgjedhur presidentin, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit.
Kryeministri, njëherësh lideri i LVV-së Albin Kurti dhe partitë opozitare nuk arritën një marrëveshje për ta zgjedhur shefin e shtetit.