Serbia bllokon fondet për shqiptarët e Luginës, Kamberi: Akt diskriminues, kërkojmë ndërhyrje ndërkombëtare

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se banka ‘HalkBank’ në Serbi është duke i refuzuar donacionet që vijnë nga Kosova për Këshillin Kombëtar Shqiptar.

Kamberi shton se ky refuzim po bëhet pa asnjë arsyetim teksa e ka cilësuar si diskriminim me prapavijë politike nga shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe për të penguar lidhjet e tyre me Kosovën, njofton Dukagjini.

“Veprimet e fundit të HalkBank për të refuzuar donacionet e ardhura nga Kosova për Këshillin Kombëtar Shqiptar, pa asnjë transparencë, pa vendim publik dhe pa arsyetim ligjor, përbëjnë një precedent shqetësues dhe të papranueshëm. Ky nuk është më një veprim teknik apo bankar, por një akt me përmbajtje të qartë politike dhe diskriminuese. Kur një institucion financiar ndërkombëtar bëhet pjesë e mekanizmave që pengojnë funksionimin e institucioneve legjitime të pakicës shqiptare në Serbi, atëherë kemi të bëjmë me bashkëpjesëmarrje në një politikë sistematike përjashtuese. Nën ndikimin e strukturave politike në Beograd, dhe konkretisht nën diktatin e ministrave që nuk përfaqësojnë interesin qytetar, por agjenda të ngushta partiake, po krijohet një klimë ku të drejtat elementare të shqiptarëve cenohen në mënyrë të vazhdueshme. Refuzimi i donacioneve nga Kosova nuk është vetëm një goditje financiare ndaj Këshillit Kombëtar, por një përpjekje për të izoluar institucionalisht shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për të penguar lidhjet e tyre natyrore me Kosovën”, ka shkruar Kamberi.

Tutje, Kamberi nga refuzimi i këtyre donacioneve më të prekurit janë nxënësit, studentët, mediat, organizatat e shoqërisë civile, bujqit dhe kategoritë në nevojë, përfshirë fëmijët me nevoja të veçanta.

Ai thekson gjithashtu se për këtë çështje janë në dijeni edhe mekanizmat ndërkombëtarë, si Bashkimi Evropian, OSBE dhe Këshilli i Evropës, duke shprehur shqetësimin për mungesën e reagimit nga ana e tyre.

“Ndër kategoritë më të prekura janë nxënësit, studentët, mediat, shoqëria civile, bujqit, si dhe organizatat që punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta. Për këto bllokime financiare janë të informuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë. Mjerisht, e gjithë kjo po ndodh pa asnjë pasojë për politikën dhe shtetin që zbaton këto praktika diskriminuese. Heshtja përballë kësaj padrejtësie nuk është neutralitet; ajo shndërrohet në bashkëfajësi dhe i jep hapësirë vazhdimit të diskriminimit. Të drejtat e pakicave janë themeli i arkitekturës së Bashkimit Evropian, ndërsa Evropa hesht kur shkelen parimet e saj themelore”.

Mes tjerash, Kamberi kërkon urgjentisht transparencë të plotë nga HalkBank për vendimin, sqarim institucional mbi bazën ligjore të refuzimit dhe ndërprerjen e menjëhershme të praktikave që ai i konsideron diskriminuese.

Në të kundërt, Kamberi paralajmëron se çështja do të ngrihet në nivele ndërkombëtare dhe do të ndiqet edhe në rrugë gjyqësore, si dëshmi e shkeljes së të drejtave kolektive të shqiptarëve në Serbi.

Lidhur me këtë, nga Qeveria e Republikës së Kosovës kanë deklaruar për IndeksOnline se janë ndërmarrë hapat konkretë për të njoftuar Bashkimin Evropian dhe faktorët relevantë ndërkombëtarë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon fuqishëm bllokimin e vazhdueshëm të mjeteve financiare të destinuara për Këshillin Kombëtar Shqiptar, duke e konsideruar këtë si ndërhyrje të papranueshme në funksionimin e një institucioni legjitim përfaqësues të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ky është rasti i dytë që mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës pengohen në mënyrë të pajustifikuar, duke dëshmuar për një model të përsëritur të bllokimit institucional”, deklaroi qeveria.

Sipas këtij institucioni, rasti lidhet me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 10 tetor 2025, përmes të cilit janë ndarë 304,511.16 euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar, mjete që nuk janë ekzekutuar pasi janë bllokuar nga autoritetet në Serbi.

“Ndërkaq, në prill 2026, shuma totale e mjeteve të bllokuara ka arritur në 1,837,511.16 euro, të dedikuara për projekte në arsim, kulturë, trashëgimi kulturore, si edhe për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Luginë”, thuhet në përgjigjen për IndeksOnline.

Në të njëjtën kohë, nga qeveria pohojnë se kjo praktikë bie ndesh me standardet ndërkombëtare.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për të njoftuar Bashkimin Evropian dhe faktorët relevantë ndërkombëtarë, duke kërkuar reagim ndaj kësaj praktike që bie ndesh me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Theksojmë se mjetet e Republikës së Kosovës janë plotësisht transparente – dihet qartë burimi, destinimi dhe përfituesit – dhe shpërndahen përmes një procesi të hapur dhe konkurrues nga Këshilli Kombëtar Shqiptar”.

Shija e redaktorit

Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias

Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin...

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Shtëpia botuese “Dukagjini” sjell në gjuhën shqipe 16 libra të...

Secila një histori ndryshe nga tjetra. Të gjashtëmbëdhjetë libra nga krijimtaria e nobelistit gjermano-zviceran, Hermann Hesse, në gjuhën shqipe i gjeni në Librarinë “Dukagjini”. Promovimi i...

Të fundit nga rubrika