Komisioni Qendror i Zgjedhjeve këtë të enjte organizoi punëtori me Zyrtarët Ekzekutiv të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (ZEKKZ), për të diskutuar për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me proceset zgjedhore qendrore dhe lokale të mbajtura në vitin 2025.
Gjithashtu, në këtë punëtori të organizuar me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, pashmangshëm u diskutua për hapat që duhet ndërmarrë në procesin e ri zgjedhor për trajtimin e sfidave të paraqitura gjatë atyre proceseve, njofton Dukagjini.
Në këtë takim, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, krahas problemeve të evidentuara sidomos në procesin e fundit zgjedhor me numërimin e votave të kandidatëve për deputetë në disa Qendra Komunale të Numërimit, theksoi rëndësinë për kujdes të shtuar gjatë do faze të përgatitjes së zgjedhjeve, e deri te numërimi dhe certifikimi i rezultateve.
Po ashtu, anëtarët prezentë të KQZ-së dhe ZEKKZ-të, diskutuan sfidat që hasen në nivel lokal gjatë fazave të ndryshme të përgatitjes së zgjedhjeve, si dhe mënyrat e adresimit të tyre.
Në çdo komunë të Republikës së Kosovës, KQZ ka të punësuar të përhershëm Zyrtarët Ekzekutiv të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (ZEKKZ), të cilët, gjatë periudhës së zgjedhjeve janë Kryesues të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në komunat e tyre përkatëse.
KKZ janë përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve brenda komunave, nën mbikëqyrjen dhe udhëzimet e KQZ, nëpërmjet Sekretariatit, me qëllim të garantimit të ligjshmërisë, legjitimitetit dhe efikasitetit të procesit zgjedhor.
