Gramos Hashani është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, pas një procesi të hapur dhe konkurrues të zhvilluar nga Bordi i Drejtorëve.
Sipas njoftimit zyrtar, përzgjedhja e Hashanit është bërë në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, duke përfshirë vlerësimin dhe intervistimin e të gjithë kandidatëve që kanë plotësuar kriteret e konkursit.
“Bordi i Drejtorëve të KEK sh.a. njofton se, pas përfundimit të një procesi të hapur, transparent dhe konkurrues, ka përzgjedhur z. Gramos Hashani për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Procesi i përzgjedhjes është zhvilluar në përputhje të plotë me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe ka përfshirë vlerësimin dhe intervistimin e të gjithë kandidatëve që kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në konkursin publik.
Z. Hashani është i diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërsa studimet master i ka përfunduar në Universitetin e Incarnate Word në San Antonio, Texas, SHBA. Ai është Kontabilist i Çertifikuar dhe Auditor i Brendshëm i Çertifikuar nga Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (SCAAK), si dhe anëtar i Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar (ACCA), Londër, Mbretëria e Bashkuar.
Z. Hashani posedon ekspertizë të theksuar në menaxhimin strategjik financiar, qeverisjen korporative, investimet në tranzicionin energjetik dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit (IFRS dhe US GAAP). Përvoja e tij profesionale përfshin sektorin e energjisë dhe atë financiar, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe në Kosovë, ku ka ushtruar pozita të larta në kompani ndërkombëtare dhe vendase.
Bordi i Drejtorëve i KEK sh.a. i uron z. Gramos Hashani suksese në detyrën e re, duke shprehur besimin e plotë se, nën udhëheqjen e tij, Korporata do të vazhdojë të forcojë performancën dhe të avancojë zhvillimin e saj strategjik në interes të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.