Interi është shpallur kampion i Italisë në futboll, duke siguruar titullin e 21-të në histori pas fitores 2:0 ndaj Parmës në ndeshjen e xhiros së 35-të të Serie A.
Me këtë fitore, tri xhiro para fundit të kampionatit, skuadra e Cristian Chivu-s ka arritur në 82 pikë dhe mban kryesimin me 12 pikë më shumë se Napoli i vendit të dytë, duke siguruar matematikisht trofeun.
Interi do të kishte siguruar titullin edhe me një barazim, por zgjodhi ta mbyllë ndeshjen me fitore dhe festë në “San Siro”. Golat u shënuan nga Marcus Thuram në minutën e parë shtesë të pjesës së parë dhe Henrikh Mkhitaryan në minutën e 80-të.
Në një pjesë të madhe të sezonit gara për titull ka qenë e fortë, por më pas Interi u shkëput, ndërsa Napoli, Milani dhe skuadrat e tjera të kreut humbën pikë të rëndësishme.
Ky është titulli i 21-të kampion për Interin. Dy vite më parë klubi kishte fituar titullin e 20-të, ndërsa një vit më parë kampion u shpall Napoli.
Në historinë e Serie A, Juventus mbetet klubi më i suksesshëm me 36 tituj, i ndjekur nga Interi me 21 dhe Milani me 19.