Në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e Komitetit Politik Evropian (EPC), kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim bilateral me kryeministrin e Dukatit të Madh të Luksemburgut, Luc Frieden.
Gjatë takimit sipas njoftimit, Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut ndaj Kosovës, duke veçuar kontributin në sektorin e shëndetësisë dhe fusha të tjera kyçe të zhvillimit.
Ai falënderoi në veçanti edhe ndihmën e fundit financiare prej 50 milionë eurosh, të cilën e cilësoi si dëshmi të përkushtimit të Luksemburgut për forcimin e institucioneve dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Bisedimet mes dy kryeministrave u fokusuan edhe në zhvillimet aktuale politike dhe prioritetet strategjike të Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Kurti theksoi rëndësinë e avancimit të mëtejshëm në këtë rrugë, përfshirë kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, si dhe progresin drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Kurti falënderoi Luksemburgun për përkrahjen e vazhdueshme në arenën ndërkombëtare, duke riafirmuar gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe koordinimin në forume shumëpalëshe me interes të përbashkët.