Policia e Kosovës në Prizren ka njoftuar për një rritje të rasteve të mashtrimeve përmes mesazheve telefonike, që synojnë marrjen e të dhënave bankare të qytetarëve.
Sipas njoftimit, qytetarët po pranojnë SMS të rreme ku u thuhet se xhirollogaritë e tyre do të bllokohen nëse nuk veprojnë menjëherë.
Mesazhet përmbajnë linke të dyshimta, ku kërkohet futja e të dhënave personale dhe bankare. Pas kësaj, personat e paautorizuar arrijnë të kenë qasje në llogari dhe të tërheqin mjete financiare.
Policia u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në linke të panjohura, të mos ndajnë të dhëna personale dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë.