Gurakuç Kuçi hulumtues i jashtëm i Institutit Octopus në një analizë të publikuar thekson se Serbia ka shënuar rënie në Indeksin e Lirisë së Mediave, duke zbritur në vendin e 104-të nga pozita e 96-të një vit më parë. Në të njëjtën kohë, Kosova ka avancuar me 15 vende në këtë indeks ndërkombëtar.
Sipas Kuçit, kjo diferencë ka nxitur reagime në mediat serbe, të cilat – në vend që të adresojnë problemet e brendshme – po e zhvendosin vëmendjen drejt Kosovës.
Ai argumenton se është përdorur një narrativë e njohur: paraqitja e serbëve në Kosovë si viktima, për të mbuluar regresin demokratik dhe mediatik në Serbi.
Në analizë thuhet se çështja e moslejimit të hyrjes së gazetave nga Serbia në Kosovë po interpretohet si “censurë”, ndërkohë që, sipas Kuçit, bëhet fjalë për çështje të natyrës logjistike dhe tregtare, jo për ndalim të përmbajtjes apo gjuhës. Ai thekson se në Kosovë funksionojnë dhjetëra media në gjuhën serbe, përfshirë edhe kanalin publik RTK2, si dhe se gjuha serbe ka status zyrtar në vend.
Kuçi gjithashtu nënvizon trendin global të rënies së mediave të shtypura, duke përmendur se edhe në Serbi audienca dhe të ardhurat nga shtypi janë në rënie, ndërsa mediat online po dominojnë tregun.
Në përfundim, Kuçi vlerëson se narrativa e ngritur nga mediat serbe synon të shmangë debatin nga problemet reale – si presioni ndaj gazetarëve dhe kontrolli politik mbi mediat në Serbi – duke e orientuar atë drejt Kosovës. Ai bën thirrje që fokusi të rikthehet te regresi i lirisë së mediave në Serbi dhe sfidat demokratike që e shoqërojnë atë.