Portieri i Bayern Munich, Manuel Neuer, ka folur pas eliminimit të skuadrës së tij nga Paris Saint-Germain në gjysmëfinale të UEFA Champions League.
Bayerni barazoi 1:1 të mërkurën mbrëma ndaj skuadrës franceze, por rezultati nuk ishte i mjaftueshëm për të siguruar finalen, pasi PSG-ja avancoi me rezultat të përgjithshëm 6:5.
Neuer ka theksuar se skuadrës bavareze i mungoi efikasiteti në fazën sulmuese në momentet vendimtare të ndeshjes.
“Mendoj se nuk kishim instinktin vrasës në sulm sonte. Por ne megjithatë patëm mundësitë për të fituar ndeshjen”, ka deklaruar Neuer për DAZN.
“Nuk kemi pasur shumë shanse të pastërta, por kur i ke këto momente… shikoni Parisin. Parisienët thjesht ishin vrasës, duke shënuar ashtu si bënë në ndeshjen e parë. Kjo na duhej sonte. Ishim afër arritjes në finale, por nuk ishim në gjendje ta përfundonim punën”, ka shtuar portieri gjerman.